Zbardhet takimi i tensionuar i Tahirit me kreun e SHISH

 

Menjëherë pas atentateve të ndodhur mëngjesin e së martës në Tiranë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka thirrur në një takim Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika. E ndërsa me kryeprokurorin biseda ka qenë me tone më të ulëta, ka pasur replika të shumta mes ministrit të Brendshëm dhe kreut të shërbimit sekret, çka ka sjellë që Visho Ajazi Lika të lërë takimin. Lapsi.al mësoi se Tahiri është shprehur i pakënaqur që Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka pasur informacione për aktet e ndodhura në Tiranë kundër familjes së tij. Lika është përgjigjur se vetëm me 5 punonjës që i kanë lënë në drejtorinë e anti-terrorit e ka të pamundur që të mbulojë këtë sektor kaq të rëndësishëm. “Ministria e Brendshme shtoi në organikën e saj këtë vit 150 punonjës, ndërsa institucioni që unë drejtoj ka pësuar shkurtime fondesh në buxhet” – mësohet të jetë shprehur kreu i SHISH. Lapsi.al mësoi se Lika e ka ngritur këtë shqetësim vazhdimisht panë qeverisë. Duke parë aktivitetin kriminal në rritje, SHISH ka kërkuar shtim të burimeve njerëzore, por kërkesat mesa duket nuk janë dëgjuar. Për shkak të toneve të larta Kreu i SHISH ka lënë takimin përpara se të dilte kryeprokurori Llalla.

 

Pakënaqësinë e tij nga kreut të SHISH, ministri Tahiri e ka shprehur edhe më pas në mbledhjen e grupit parlamentar të PS. Tahiri ka deklaruar se Visho Ajazi Lika kishte treguar mungesë informacioni jo vetëm lidhur me përgatitjen e këtyre akteve, por edhe mbi ndodhjen e tyre. Mësohet se Tahiri u ka treguar deputetëve të vet se kreu i SHISH-it kishte mësuar për ngjarjen vetëm dje në orën 10:00 të paradites. Mësohet se edhe deputetë të tjerë janë shfaqur hapur në mbrojtje të tij, ndërsa nuk kanë munguar edhe kritikat për neglizhencën dhe përvojën e policisë në parandalimin e këtyre akteve.

SHKARKO APP