Zbardhet takimi Yuri Kim-Ruçi: U diskutua për integrimin, Reformën në Drejtësi dhe atë Zgjedhore
Pas takimeve të njëpasnjëshme me krerët e opozitës dhe anëtarët e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka takuar sot edhe kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Takimi mes ambasadores dhe Ruçit u zhvillua në zyrën e kryeparlamentarit, në Kryesinë e Kuvendit, ku temë kryesore e diskutimit ka qenë Reforma Zgjedhore.
Njoftimi i Kuvendit
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadoren e ShBA, znj. Yuri Kim
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot, me kërkesën e saj, Ambasadoren e ShBA, znj. Yuri Kim.
Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës zgjedhore, të reformës në drejtësi dhe të procesit të ingrimit europian të Shqipërisë, pas momentit historik të vendimit për çeljen e negociatave nga Bashkimi Europian.
Suksesi i reformës zgjedhore dhe i reformës në drejtësi është jetik për ecjen përpara të Shqipërisë, zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe suksesin e proceseve integruese.
Më herët, Ambasadorja Yuri Kim, pati një takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, z. Ulsi Manja.