Zef Mazi: BE të tregohet e qartë nëse ka ndryshuar strategjia e zgjerimit
Vetëm pak ditë pasi Portugalia ka marrë presidencën e Bashkimit Evropian, janë zbardhur edhe prioritetet e saj. Kryenegociatori i Shqipërisë, Zef Mazi, shprehet optimist se pavarësisht se zgjerimi nuk përmendet, strategjia e BE nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Megjithatë Mazi shprehet se i takon organizmave më të larta të Bashkimit Evropian që ta qartësojnë situatën.
z. Mazi, sot mësuam për prioritetet e Presidencës portugeze të Bashkimit Evropian. Aty nuk gjejmë referencë për zgjerimin. Si e shihni këtë?
Duke vendosur së bashku në një kornizë gjithë pikëzat e mesazheve në muajt e fundit të vitit 2020, kjo mospërmendje e zgjerimit të BE-së ndër prioritetet e presidencës portugeze nuk erdhi si surprizë. Analizuar nga afër, teksti i prioriteteve, aq sa mund të deduktohet sot për sot, për presidencën portugeze kanë më shumë rëndësi fqinjët në Afrikë dhe Amerikën Latine sesa përfshirja në BE, domethënë zgjerimi i BE. Nuk kam degjuar deri tani që ka ndryshuar strategjia e BE për zgjerimin! Nuk e besoj se ka ndryshuar! Presidenca portugeze mund të thotë më shumë për ketë.
Zgjerimi i BE-se ka qenë pjesë e prioriteteve të presidencave të mëparëshme. Apo jo?
Sa kujtoj, ndoshta është e para presidencë e BE-së këto tre vitet e fundit, nëse nuk gaboj, që nuk gjen as pak fjalë për t’iu referuar paketës së zgjerimit të BE, domethënë vendimit strategjik politik të BE-së për zgjerimin.
Mosdakordësia e Çekisë dhe Sllovakisë për paketën e zgjerimit në dhjetor 2020, pas deklaratës së përbashkët të dy kryeministrave të ketyre dy vendeve, ka pasur ndikimin e saj në këtë listim konçiz të prioriteteve të presidencës portugeze.
Në çfarë drite e shihni këtë fakt të mosreferimit të zgjerimit?
Ndonjë mund të fshihet pas këtij listimi prioritetesh, të ketë qenë ose të jetë dakord. Unë nuk besoj që ky është qëndrim inteligjent. Nëse është keshtu, kjo paqartësi nuk mund të mbahet gjatë.BE, Këshilli, Komisioni Evropian dhe shtete anëtare, do duhet të prononcohen qartë nëse ka ndryshuar ose jo strategjia e zgjerimit të BE që është vendosur nga Këshilli zyrtarisht sa e sa vite më parë në mbledhje të nivelit të lartë!
Unë jam optimist, megjithë interpretimet e ndryshme, se strategjia nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Tani për tani mund të shohim përjekje apo ndonjë pozicionim jo të favorshëm, për t’i shtyrë në kohë disa gjëra, por jo për t’i pezulluar. Jemi vetem në ditën e katërt të një viti të gjatë, të vështirë, ku operojnë dy presidenca të Këshillit. Koha, ecuria e punëve do tregojë më shumë e më qartë.