Zelensky ndërron skemë, fton Trumpin në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të ofrojnë më shumë ndihmë për luftim të Rusisë, dhe e ka ftuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump që të shkojë në Ukrainë për të parë shkallën e konfliktit me sytë e tij.

Zelensky ka thënë se ushtarët amerikanë mund të përfshihen potencialisht në një konflikt më të madh evropian me Rusinë, nëse Uashingtoni nuk e rrit ndihmën.

“Nëse Rusia na vret të gjithë neve, ata do t’i sulmojnë vendet e NATO-s dhe ju do t’i dërgoni djemtë dhe vajzat tuaja [për të luftuar]”, është cituar të ketë thënë Zelensky në një intervistë për rrjetin NBC, që do të transmetohet të dielën.

Përgjatë intervistës, Zelensky e ka ftuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, republikan, që ta vizitojë Ukrainën dhe ta shohë shkatërrimin që ka lënë mbrapa lufta e nisur nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.

Trump, i cili synon ta fitojë edhe një mandat presidencial më 2024, dhe është kandidat kyç për ta fituar nominimin e partisë së tij, ka qenë kritik i ashpër i ndihmës amerikane për Kievin, dhe ka thënë se do t’i japë fund luftës brenda 24 orëve, nëse zgjidhet.

 

SHKARKO APP