“Zëri Amerikës”: Ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaron se “Marrëveshja e firmosur nuk negociohet më, duhet votuar”
Nga VOA-
Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shumica miratoi në parim kërkesën për ndryshime kushtetuese nga deputetë të opozitës në parlament, ndërsa i qëndron plotësisht marrëveshjes së 5 qershorit me opozitës jashtë parlamentit.
Zoti Rama tha se “për hapjen e listave janë dakord edhe socialistët, tashmë që këtë e kërkojnë një numër përherë e më i madh qytetarësh”. Ai shtoi se “hapja ose jo e listave nuk cënon marrëveshjen e 5 qershorit, pozitë – opozitë” e ndërmjetësuar nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim.
Në të njëjtën kohë me zotin Rama në konferencë shtypi, komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Oliver Varheyli, shkroi në Twiter mbi reformën zgjedhore në Shqipëri se “marrëveshja e 5 qershorit e dakordësuar mes forcave politike duhej të kalonte sa më shpejt të jetë e mundur në Parlament gjatë këtij sesioni plenar, për të mundësuar zbatimin e rregullave të reja në zgjedhjet e përgjithshme të vitit tjetër, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, dhe ky është një kusht kryesor për të filluar negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në”.
Ai shtoi se “reforma të tjera në lidhje me systemin zgjedhor, që janë jashtë fokusit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, do të duhet të shqyrtohen të paktën një vit përpara zgjedhjeve, duke përfshirë edhe konsultimet e duhura, siç rekomandon OSBE“.
Nga ana e saj, Partia Demokratike bëri të ditur se çështja e listave të hapura nuk mund të diskutohet në këto çaste, duke parlajmëruar se çdo veprim i njëanshëm do të ishte me pasoja.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, doli para shtypit pak minuta më pas, duke theksuar se “kjo ishte një përpjekje e fundit e zotit Rama për të cënuar marrëveshjen e 5 qershorit”.
Ai kujtoi se palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE.
Sipas tij, “hapja në këtë çast e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE” dhe se “çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Juri Kim, deklaroi në televizionin News24 një natë më parë se “marrëveshja e 5 qershorit është e patjetërsueshme dhe duhet të kalojë siç është, dhe nuk mund të hapet përsëri”.
Ambasadorja Kim tha se synimi i menjëhershëm është shumë specifik: të sigurohet që Shqipëria të hyjë në BE.
“Ajo që nuk duam është një situatë pengmarrjeje, kur diçka që është ekstra mban peng diçka që është e nevojshme. Nuk mund të jetë dhe nuk mund ta mbështes këtë. Marrëveshja e 5 qershorit është mbyllur dhe nuk mund ta hapim përsëri” – tha ambasadorja Kim.