Zëri i Amerikës: Australia i dërgon sot Ukrainës armët vdekjeprurëse, ndërsa Rusia nën trysni diplomatike e ekonomike

Trysnia diplomatike dhe ekonomike ndaj Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë, u rrit të hënën me caktimin e sesionit urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rënien e monedhës ruse në një nivel të ulët rekord dhe shtimin e sanksioneve të reja kundër bankës qendrore të Rusisë.

Ndërsa agresioni hyri në ditën e pestë, ushtria ukrainase tha se forcat ruse kishin ngadalësuar “ritmin e sulmit”.

Ministria britanike e Mbrojtjes, tha të hënën se trupat ruse ndodhen më shumë se 30 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke shtuar se “dështimet logjistike dhe rezistenca e palëkundur ukrainase vazhdojnë të pengojnë përparimin e forcave ruse”.

Kjo përputhej me vlerësimin e një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili u tha gazetarëve të dielën se “nuk kemi asnjë tregues se ushtria ruse ka marrë kontrollin e ndonjë qyteti”.

Trupave ruse së shpejti mund t’u bashkohen forcat nga Bjellorusia, aleatja e Rusisë, sipas zyrtarëve amerikanë që folën me disa media.

Mes sanksioneve të tjera, Britania i ndaloi entitetet e saj të kryejnë transaksione me bankën qendrore të Rusisë dhe ministrinë e Financave, ndërsa Singapori njoftoi një sërë sanksionesh që përfshijnë shënjestrimin e transaksioneve bankare dhe kontrollet e eksportit.

Një ditë pasi Bashkimi Evropian tha se po dërgonte armatime në Ukrainë, Australia u angazhua të hënën për një dërgesë të pajisjeve ushtarake vdekjeprurëse.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Joe Biden, do të bisedojë në telefon me një numër aleatësh të hënën, për të diskutuar zhvillimet e fundit në Ukrainë “dhe për të bashkërenduar përgjigjen tonë të përbashkët”. VOA

 

SHKARKO APP