“Zëri i Amerikës”: Çfarë duhet të dini për garën e parë presidenciale mes republikanëve?
Ndërsa një pjesë e Shteteve të Bashkuara është mbërthyer nga moti i acartë, procesi i emërimit të kandidatit republikan për garën presidenciale fillon zyrtarisht të hënën me zgjedhjet paraprake në shtetin e Ajovas.
Gara ka qenë jashtëzakonisht e qetë këtë vit, një tregues i epërsisë së ish-Presidentit Donald Trump në garë. Por, as stuhitë që çuan në temperatura nën zero gradë Celcius dhe reshjet masive të dëborës, nuk është se kanë ndihmuar.
Megjithatë, ka shumë elementë që duhet marrë në konsideratë, në prag të zgjedhjeve paraprake dhe pas spekulimeve të shumta se kush do të përballet me Presidentin Joe Biden këtë nëntor.
Më në fund, do të fillojmë të mësojmë mbi preferencën e zgjedhësve republikanë.
Cili kandidat do të renditet i dyti?
Duke pasur parasysh epërsinë e ish-Presidentit Trump, votimi në shtetin e Ajovas ngjan më tepër si një betejë për vendin e dytë. Pyetja që ngrihet është nëse ndonjë prej dy republikanëve që kanë mbështetje dyshifrore, edhe pse me një distancë të madhe nga kandidati kryesor, do të arrijnë, në plan aftagjatë, ta shndërrojë garën, në një përballje prej vetëm 2 kandidatësh.
Guvernatori i Floridës Ron DeSantis më herët ishte shprehur se do arrinte të fitonte garën në këtë shtet, por tanimë ai i ka ulur pritshmëritë, duke pretenduar që të shënojë thjesht një paraqitje të mirë.
Fushata me qasje prej eksperteje duke i mëshuar nevojës për konsenus, e ish-guvernatores së Karolinës së Jugut, Nikki Haley, duket se nuk i shkon për shtat Ajovas, por gara paraprake vjen pasi vëmendja ndaj saj është rritur dhe ajo ka marrë më shumë mbështetje financiare.
Ajo mund të ketë mbështetje më të fortë në shtetin e radhës, në Nju Hemshpër dhe sigurimi i vendit të dytë në Ajova, do ta vinte atë në pozita të forta.
Kush do dalë për të votuar nën mot të acartë?
Deri më tani, vëmendja më e madhe lidhur me garën paraprake ka qenë tek pozitat e forta të ish-Presidentit Trump. Por tani, vëmendja mund të zhvendoset tek pjesëmarrja dhe se kush do të përfitonte nga i ftohti i acartë që mund të pengojë daljen në zgjedhje?
Procesi do të zhvillohet në 1567 vendndodhje të ndryshme. Në shumicën e rasteve, për të shkuar në këto qendra, është e nevojshme përdorimi i makinës. Rrugët do të jenë me akull, temperaturat do të shënojnë dhjetra gradë nën zero. Javën e kaluar, Shërbimi Kombëtar i Motit, paralajmëroi qytetarët të mos dilnin nga shtëpia, nëse mundeshin.
Për më tepër, njerëzit mund të jenë më pak të motivuar për të marrë pjesë në një garë, ku fituesit dihen.
Megjithatë, mbështetësit e zotit Trump janë shumë të motivuar për pjesmarrje. Zoti DeSantis mund të përfitojë nga një organizim shumë i mirë për t’i transportuar republikanët në qendrat ku zhvillohen zgjedhjet.
Në përgjithësi, konservatorët janë entuziastë për fillimin e garës zgjedhore, ata janë të zemëruar me situatën aktuale dhe sikurse me kandidatët e tyre, e shohin Presidentin Biden si një kandidat që do të mundet lehtë, në nëntor.
Pjesëmarrja në votimet paraprake do të krahasohet me vitin 2016, kur 186,000 republikanë u bënë pjesë e procesit. Një shifër e ulët për një rol kaq të madh në përcaktimin e kandidatit për të udhëhequr një vend prej 330 milionë banorësh. A do të ketë më pak pjesëmarrje këtë herë?
Sa është epërsia e ish-Presidentit Trump?
Sondazhet kane qenë mbresëlënëse, megjithatë, deri në fund nuk dihet se sa mbështetje gëzon një kandidat. A do të përkthehen në një fitore të madhe, anketimet që tregojnë mbizotërimin e zotit Trump në garë? Apo do të ketë ndonjë të papritur?
Ish-Presidenti Donald Trump vizitoi shtetin e Ajovas në ditët e fundit para garës, por vëmendja e tij është përqëndruar në të tjera çështje, që janë të pazakonta, për një kandidat që synon të sigurojë fitore në Ajova.
Për shembull, javën e shkuar ai i kushtoi kohë proceseve të apelit për çështjet gjyqësorë në ngarkim të tij, me besimin se kjo do ta vinte në pozita më të mira para votuesve republikanë, se sa ecejaket në Ajova. Kundërshtarët e kanë kritikuar atë se nuk ka qenë prezent, por mbetet e paqartë, nëse kjo do ta dëmtojë në garën e sotme.
Përshtypja që krijoi Ramaswamy
Fillimisht fushata agresive në median sociale e sipërmarrësit të farmaceutikës 38 vjeç,Vivek Ramaswamy, tërhoqi shumë vëmendjen e republikanëve, por u duket se ai shuajti kureshtjen e shumë prej tyre, pas sulmeve ndaj kundështarëve gjatë debateve në kuadër të garës presidenciale.
Stili agresiv i zotit Ramaswamy mund të mos jetë saktësisht “i pëlqyer në Ajova”, por as stili i zotit Trump, nuk është, e megjithatë ky i fundit gëzon një mbështetje të lartë.
Zoti Ramaswamy ka qenë në të gjithë Ajovan, duke shënuar një rekord historik të fushatës së tij presidenciale. Ai vizitoi të 99 qarqet e këtij shteti, jo një, por dy herë.
Nuk është e qartë se për çfarë po konkurron zoti Ramaswamy, i cili bën gjithçka për të mos kritikuar zotin Trump, por kritikon të gjithë kandidatët e tjerë. Ajova do të ndikojë shumë për të përcaktuar nëse ai ka apo jo ende arsye për të vazhduar garën./VOA/