Zëri i Amerikës: Dvorani humbet automatikisht dhe postin në KED. Në vend të tij zgjidhet Vitore Tusha
Nga Zëri i Amerikës –
Në Shqipëri, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), vendosi sot të konsiderojë të përfunduar mandatin e anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani. Për pasojë ai humbet dhe funksionin e tij si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), të cilin e e ushtronte automatikisht si anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë. Ky funksion pritet t’i kalojë anëtares se Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, si nënkryetare e Këshillit.
Shumica e anëtarëve të KLGJ-së, të cilët mbështetën idenë e përfundimit të mandatit të zotit Dvorani, e argumentuan këtë me faktin që tanimë, kur tre nga katër anëtarët jo gjyqtarë, të Gjykatës së Lartë janë zgjedhur, atëherë, zoti Dvorani, nuk ka më arsye për të qëndruar në detyrë, përtej mandatit që i ka përfunduar në vitin 2014.
Zoti Dvorani, u emërua anëtarë i Gjykatës së Lartë në vitin 2005, pikërisht nga radhët e jogjyqtarëve. Por pas përfundimit në vitin 2014 të mandatit 9 vjeçar, ai zbatoi klauzolën ligjore e cila i njihte të drejtën e mbajtjes së funksionit, deri në emërimin e pasuesit.
Zoti Dvorani reagoi shkurtimisht ndaj vendimit të sotëm. “Juridikisht është një gafë e paimagjinueshme. Por duhet të shikoj çfarë do të katranosin në arsyetim. Reforma e drejtësisë ka ende rrugë të gjatë për të provuar qëllimin e mirë të saj. Votimi ka qene 6 me 4”. Përmes një letre drejtuar më parë KLGJ-së ai theksonte se mandati i tij, do të mund të konsiderohej i përfunduar, me emërimn dhe të anëtarit të katërt.
KLGJ u vu në lëvizje nga presidenti Ilir Meta, sipas të cilit “me emërimin dhe fillimin e ushtrimit të mandatit të rregullt të anëtarit të parë në Gjykatën e Lartë, që përkon me fillimin e ushtrimit të mandatit të zotit Sokol Sadushaj, zotit Ardian Dvorani i ka përfunduar tashmë dhe “detyrimi” për vijimin e ushtrimit të detyrës, detyrim ky që sipas tij, e ka mbajtur atë të lidhur me pozicionin si anëtar i Gjykatës së Lartë për thuajse 7 vjet pas përfundimit të mandatit të rregullt”. Sipas presidentit të Republikës, anëtari i katërt “i përket plotësimit të vendit vakant të krijuar nga përfundimi para kohe i mandatit të ish-gjyqtarit zotit Xhezair Zaganjori”
Nga ana tij, zoti Dvorani, në letrën dërguar KLGJ-së e cilësonte nismën e Presidentit, si një lëvizje “me qëllimin e qartë: të ndërhyjë dhe ndikojë në mënyrë të papërshtatshme, në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, në veprimtarinë e institucioneve kushtetuese të pavarura siç është KLGJ-ja dhe të arrijë të ndikojë në karrierën gjyqësore të një gjyqtari konkret”
Kërkesa e zotit Meta, pasoi një përplasjeje të gjatë mes tij dhe zotit Dvorani, lidhur me aktivitetin e këtij të fundit si kryetar i KED-së, përplasje e cila u nxit nga procedurat e ndjekur lidhura me emërimet në Gjykatën Kushtetues, që çuan në një konflikt të hapur mes kreut të Shtetit dhe Parlamentit. Për këtë rast, pritet javën e ardhshme dhe opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias. Dy draft opinionet e tij, i kanë dhënë të drejtë presidentit Meta, për mënyrën se si ai e trajtoi çështjen e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Lexoni edhe…
KLGJ largon nga detyra Ardian Dvoranin
Dvorani, juristi që Venecia e akuzoi për shkelje të rënda, nuk pranon vendim e KLGJ
Reagimi i turpshëm i Dvoranit/ Një ikje pa lavdi që tregon shumë
Dvorani duhet të jetë para drejtësisë jo në Gjykaten e Apelit!