“Zëri i Amerikës”: Evropa në frikë për një situatë emergjence nga mungesa e gazit natyror
Nga “Zëri i Amerikës”-
Nuk është i nxehti i verës që ka djersitur udhëheqësit evropianë dhe drejtuesit e bizneseve. Është frika se manipulimi që mund të bëjë Rusia me furnizimin me gazin natyror, do të sjellë një krizë ekonomike dhe politike gjatë stinës së dimrit. Pasojat madje mund të ndjehen edhe më shpejt, nëse papritur Rusia e ndërpret tërësish furnizimin.
Në vazhdim po radhisim disa nga aspektet kryesore që duhet të dimë për sa i përket lojës së trysnisë energjitike për shkak të luftës në Ukrainë.
ÇFARË KA NDODHUR?
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paralajmëroi të mërkurën se vendet dhe ekonomia duhet të përgatiten në rast se Rusia e ndërpret krejtësisht furnizimin me gaz natyror, i cili është që tani i kufizuar. Frika tashmë po shtohet se tubacioni Nord Stream 1, që lidh Rusinë me Gjermaninë, duke kaluar nën Detin Baltik, nuk do të rifillojë punën, pasi të mbyllet këtë muaj për procedura mirëmbajtjeje të planifikuara që më parë.
Rusia ka kufizuar tashmë furnizimin me gaz për rreth dymbëdhjetë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, e cila është ekonomia më e madhe e unionit, dhe që mbështetet shumë tek energjia që vjen nga Rusia për të prodhuar elektricitet dhe për të furnizuar sektorët e saj industrialë. Kufizimet kanë ngjallur akuza nga biznesi dhe udhëheqësit politikë se Rusia po ndëshkon Evropën për mbështetjen ndaj Ukrainës, vendin që Rusia ka sulmuar ushtarakisht që prej katër muajsh.
Kompania gjigande energjitike në pronësi të shtetit rus, Gazprom, ka kufizuar me 60% furnizimin përmes tubacionit Nord Stream 1, i cili fillon nga Rusia, kalon nën Detin Baltik, dhe mbërrin në Gjermani, duke shërbyer si burimi kryesor i gazit natyror për Evropën. Furnizimi për Italinë është përgjysmuar. Gjermania mbështet tek Rusia për të siguruar 35% të importeve të saj të gazit dhe Italia 40%.
PËRSE PËRBËJNË SHQETËSIM KUFIZIMET?
Evropa po përpiqet të mbushë depozitat nëntokësore të gazit përpara mbërritjes së dimrit. Kompanitë e gazit i mbushin depozitat gjatë verës, pasi munden të blejnë gaz më të lirë, të cilin e fusin në përdorim gjatë dimrit kur shtohet kërkesa. Kufizimet e tanishme do ta bëjnë më të vështirë dhe më të kushtueshme krijimin e rezervave.
Rënia e furnizimit me energji ka sjellë edhe më pranë mundësinë e një ndërprerjeje të plotë të gazit nga Rusia, çka do ta bënte të pamundur për Evropën që të siguronte të gjithë karburantin që i nevojitet për dimrin. Gazi natyror përdoret nga disa sektorë industrialë që konsumojnë energji të lartë, dhe të cilët po përballen që tani me kosto më të larta. Kjo i ka detyruar të pakësojnë konsumin, gjë që ka kontribuar në ngadalësimin e ekonomisë evropiane.
Momentalisht, depozitat nëntokësore të Evropës janë të mbushura në nivelin rreth 60%. Propozimi më i fundit i Komisionit Evropian synon që secili vend të arrijë në nivelin 80% deri më 1 nëntor.
Ekonomistët Holger Schmieding dhe Salomon Fiedler, me bankën Berenberg, thonë se nëse Rusia nuk rifillon furnizimin nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1 pas datës 24 korrik, BE-ja “do të përballej me depozita bosh përpara përfundimit të dimrit. Për të marrë masat, do të duhet që të caktohen paraprakisht racione të konsumit të gazit”.
Përveç të tjerave, shpërthimi i zjarrit në një terminal eksporti në qytetin Freeport të Teksasit, bllokoi për disa muaj një të pestën e kapacitetit të eskporteve amerikane, duke shkaktuar një tendosje tjetër në tregun e gazit. Shumica e eksporteve nga ky terminal kishin si epiqendër Evropën, thotë firma hulumtuese “Rystad Energy”.
SI PO VEPROHET?
Bashkimi Evropian, që siguronte rreth 40% importeve të gazit nga Rusia para luftës, ka shpalosur planet për të ulur importin me dy të tretat deri në fund të vitit dhe për të eleminuar tërësisht përdorimin e gazit rus deri në vitin 2027.
BE-ja gjithashtu ka thënë se, duke filluar nga muaji gusht, do të ndërpresë importet e qymyrit rus dhe në gjashtë muaj pjesën dërmuese të naftës. Qëllimi i bllokut është ulja e fitimeve që siguron Rusia që llogariteshin në 850 milionë dollarë në ditë nga shitja e naftës dhe gazit, përpara fillimit të agresionit.
Për të zëvendësuar importet e pakësuara ruse, qeveritë evropiane dhe kompanitë furnizuese kanë blerë nga Shtetet e Bashkuara gaz natyror të tjetërsuar në gjendje të lëngshme, LNG. Ky lloj gazi, LNG, është i kushtueshëm pasi dërgohet me anije çisternë, në krahasim me gazin rus që dërgohet me tubacione dhe zakonisht ka kosto më të ulët.
Por lufta i ka rritur çmimet e energjisë, duke nxitur nivele rekord të inflacionit në Evropë dhe njëkohësisht ka ndihmuar në ruajtjen e një burimi të qëndrueshëm të ardhurash për Rusinë.
Evropa po vazhdon përpjekjet për të siguar prurje më të mëdha gazi nga tubacionet e Norvegjisë dhe Azerbajxhanit, ndërkohë që do të jetë i vogël roli që do të luajë konservimi dhe përhapja e shpejtë e energjisë së rinovueshme.
Gjermania, vend i cili nuk ka terminale importi për lëndën djegëse LNG, po vendos katër terminale pluskuese, dy prej të cilave pritet të vihen në punë këtë vit.
Pavarësisht përqendrimit tek energjia e rinovueshme, kriza po i shtyn vendet të kthehen tek karburantet fosile.
Gjermania po nxiton të miratojë ligje për të rivënë në punë centralet elektrike me qymyr, si masë të përkohshme, pavarësisht planeve për të eleminuar tërësisht qymyrin deri në vitin 2030. Qeveria gjermane i ka bërë thirrje popullit që të kursejë energjinë.
Qeveria holandeze thotë se do të lejojë funksionimin e plotë të centraleve elektrike me qymyr me qëllim konservimin e gazit natyror, i cili do të përdorej për prodhimin e energjisë. Pavarësisht masave, siguria e gazit në Evropë është e brishtë.
Terminalet e eksportit të gazit natyror të tjetërsuar në gjendje të lëngshme, LNG, në vendet prodhuese si Shtetet e Bashkuara dhe Katari, po funksionojnë me kapacitete të plota, çfarë do të thotë se Evropa po konkuron me Azinë për furnizime.
Të mërkurën, Parlamenti Evropian miratoi një propozim për ta përcaktuar gazin natyror si energji miqësore për mjedisin duke shkaktuar zemërim tek ambientalistët dhe duke e bërë më të lehtë për investitorët privatë që të injektojnë para në projektet e lidhura me gazin.
LOJA RUSE
Gazpromi rus thotë se iu desh të pakësonte dërgesat drejt Evropës përmes tubacioneve Nord Stream 1, sepse sanksionet perëndimore bllokuan një pajisje të rëndësishme në Kanada, e cila ishte dërguar për remont. Qeveritë evropiane nuk e pranojnë këtë si arsye dhe thonë se ulja e dërgesave ka prapavijë politike.
Masat e ndërmarra nga Gazpromi kanë rritur ndjeshëm çmimet e gazit natyror pasi ato shënuan rënie me fillimin e sezonit veror e përgatitjet për dimrin. Kjo gjë ka rritur të ardhurat për Rusinë, në një kohë kur ndodhet nën trysninë e sanksioneve ekonomike perëndimore dhe ka shtuar stresin mbi Evropën që po mbështet politikisht dhe ushtarakisht Ukrainën.
Manovrat e Gazprom-it mund të shihen gjithashtu si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore e që synojnë të ndalin vendosjen e sanksioneve të mëtejshme. Përdoruesit më të mëdhenj të gazit janë njoftuar gjithashtu se sikurse përdoruesit më të vegjël, nuk do të përjashtohen nga një ndërprerje e mundshme e tij.
Gjermania dhe Italia u përballën me një reduktim të furnizimeve rreth periudhës kur udhëheqësit e tyre së bashku me Presidentin francez Emmanuel u takuan në Kiev me Presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe mbështetën statusin e Ukrainës si vend kandidat në BE.
“Reduktimi i sasisë se gazit që vjen nga Nord Stream 1 në Evropë duket qartë një përpjekje e Putinit për të penguar përpjekjet e Evropës për të siguruar rezerva gazi gjatë periudhës së verës”, thotë Tim Ash, ekspert i tregjeve në kompaninë “BlueBay Asset Management”.
Pyetjet që shtrohen janë: A do të përballet evropianët me ikjen e dritave apo a “do të ngrijnë” nga të ftohtit këtë dimër?
Kjo nuk ka gjasa të ndodhë sepse ligjet e Bashkimit Evropian përcaktojnë si masë të detyrueshme që qeveritë t’i racionalizojnë furnizimet me gaz për industrinë, në mënyrë që të kursehet në funksion të furnizimit me energji të banesave, shkollave dhe spitaleve. Gjithashtu ato vendet që kanë mungesë të gazit mund të kërkojnë ndihmë nga të tjerët që mund të jenë në gjendje më të mirë, por kjo varet nga lidhjet që kanë ata me tubacione për transportin e tij.
Ana negative e përdorimit me racion të gazit do të ishte reduktimi i punës në industri e për këtë shkak reduktimi i vendeve të punës apo dhe ulja e rritjes ekonomike në një kohë kur vendet po përballen me probleme të mëdha nga inflacioni i lartë. Një situatë e tillë mund të çonte drejt një recesioni.
Ndërkohë, një ndërprerje e plotë e gazit mund të çonte në një rritje edhe me të madhe të çmimit dhe të inflacionit. Nëse kjo ndodh, çmimet e gazit do të shkonin drejt rritjes rekord prej 206 eurosh për megavat orë që u regjistrua më 7 mars. Në fillim të vitit 2021, përpara se Rusia të dislokonte trupa në kufirin me Ukrainën, gazi në vend kushtonte rreth 19 euro për megavat orë.