Zëri i Amerikës: Kryebashkiaku Tushe u plagos për punë lekësh
Kryetari i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu mbetën sot të plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate në mjediset e zyrës së drejtuesit lokal të qytetit.
Mjeti shpërthyes mësohet të jetë hedhur nga Gëzim Saraçi, ish shoferi i zotit Tushe. Kryebashkiaku dhe sekretarja e tij u dërguan menjëherë në spitalin e Traumës në Tiranë.
Mjekët deklaruan se zoti Tushe ka patur dëmtime të lehta, vetëm në kraharor, ndërsa zonja Qalliu, ka pësuar dëmtime të kockave në fytyrë, por është jashtë rrezikut për jetën.
Motivet janë ende të paqarta.
Një nga pistat e hetimit është ajo e pushimit të Saraçit nga puna, ndonëse e ndodhur më shumë se dy vjet më parë, por nuk përjashtohen dhe shkaqe që nuk lidhen me marrëdhënie thjesht institucionale.
Sipas asaj që kanë treguar dëshmitarë okularë, referuar mediave lokale, të dy kanë qenë duke debatuar përpara Bashkisë për çështje parash, ndërsa janë ngjitur me pas drejt zyrës së kryebashkiakut.
Policia njoftoi se ka nisur kontrolle të shumta në zonë, përfshirë njësitë e forcave speciale, për kapjen e Saraçit.
Sipas Partisë Demokratike ngjarja e sotme e ka burimin te ‘prishja e pazareve mes kryebashkiakut dhe ish shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni. Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes.
Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij’, theksoi opozita në një deklaratë për ngjarjen. /Zeri i Amerikes