Zëri i Amerikës: Një gjeneral për president. PS propozon Bajram Begajn

Nga: Zëri i Amerikës

Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Bajram Begaj është kandidatura e përzgjedhura nga socialistët për postin e presidentit të ri të vendit. Emrin e tij e bëri publik, kryetari i PS dhe kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar atë si “shëmbëlltyra e atij normaliteti, qytetarie dhe sensi të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyrë ka nevojë urgjente”.

Zoti Rama bëri të ditur se kandidatura e tij ishte përzgjedhur në mesin e shumë emrave, ku më parë ishin përjashtuar ata që i përkisnin grupit parlamentar socialist, e më pas dhe ata që kishin, në një farë mënyrë, lidhje me Partinë Socialiste.

“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një nga profilet më të larta të një shteti, dhe eksperienca na tregon se në radhën e presidentëve që kemi patur, ai që vinte nga forcat e armatosura është dhe presidenti që jo sot mbahet mend për mirë, por që do mbahet mend shumë gjatë”, tha kryeministri Rama duke përmendur ish presidentin Alfred Moisiu. Sipas kryeministrit “nëse i besojmë përfaqësuesve të Forcave të Armatosura, dhe një detyrë civile të jetës qytetare, ata përgjithësisht nuk zhgënjejnë”, u shpreh zoti Rama.

Kandidatura e zotit Begaj, pritet të marrë nesër firmat e deputetëve të grupit parlamentar të cilët janë thirrur të mblidhen në orën 10.00, dy orë para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave.

Tre raundet e para u dogjën pa asnjë kandidat, pasi shumica dhe opozita dështuan në arritjen e një marrëveshjeje për të shkuar drejt një emri konsensual. Në raundin e katërt, socialistët e kanë shumicën e thjeshtë të votave, 70+1 deputet, që nevojiten për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Seanca e votimit do të mbahet nesër pasdite. Përpara se të bëhej publik emri i kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste, opozita sërish u shfaq e ndarë, ndonëse të dyja palët bashkohen në faktin se sipas tyre, kjo shumicë nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur e vetme presidentin. Kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj deklaroi se nuk do të marrin pjesë në seancë, për të mos legjitimuar kapjen nga ana e shumicës dhe të institucionit të presidentit. Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha, i cili ka marrë drejtimin e PD-së, bëri të ditur se ai dhe deputetët që e mbështesin, do të jenë në sallë për të votuar kundër.

SHKARKO APP