“Zëri i Amerikës” për sulmet e kryeministrit Rama ndaj SPAK

Nga “Zëri i Amerikës”-

Në Shqipëri kryeministri Edi Rama sulmoi sot me tone të ashpra Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, se nuk po vepron ndaj gyqtarëve dhe prokurorëve të nxjerrë jashtë sistemit nga Vettingu, e veçanërisht ndaj ish kryemnistrit Sali Berisha i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara. SPAK nga ana e saj i tha Zërit të Amerikës se nuk kishte asnjë koment mbi deklaratat e kryeministrit. Ndërsa Partia Demokratike reagoi duke u shprehur se sipas saj sulmet e kryeministrit janë një mesazh i koduar që Prokuroria e posaçme të tërhiqet nga çështjet që prekin drejtpërdrejtë kryeministrin

Në harkun kohor të një muaji kryeministri Edi Rama i është rikthyer sot për herë të dytë toneve të forta kritike ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sërish ai përdori forumet e Partisë socialiste për ta bërë këtë: në muajin Prill nga podiumi i Kongresit dhe sot nga salla e Asamblesë, duke i kushtuar një pjesë të mirë të fjalimit të tij.

Kryeministri vuri në dukje se “peshkaqenëve të mëdhenj të sistemit të drejtësisë”, siç i quajti ai gjyqtarët dhe prokurorët që u lanë jashtë sistemit të Drejtësisë nga procesi i vettingut, “nuk u ka hyrë gjemb në këmbë”. Ndërkohë që siç tha, SPAK veproi me nxitim të hetonte gjyqtarin Ardian Dvorani. “Kampioni i antikorrupsionit me vulë dhe me firmë të Sekretarit Amerikan të Shtetit është futur në hetim nga SPAK, në hetim për çfarë? Për një hetim të kujt? Për një denoncim të atij që, jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret që ta shohë para SPAKU-t, Ilir Metës. Po si qenka kjo kështu, kaq e përmbysur?”, u shpreh zoti Rama.
Kryetari socialist la të kuptohej sërish se SPAK po godet më shumë nga e majta, duke theksuar megjithatë se partia e tij ka patur gjithnjë të njejtin qëndrim sa herë që është dashur të merret përpara drejtësisë cilido pjestar i tyre.

Por pakënaqësia më e madhe e zotit Rama lidhet me mosndërmarrjen e asnjë veprimi ndaj ish kryeministrit Sali Berisha i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara për “korrupsion madhor”. Sipas tij në përmballjen me të keqen, SPAk deri tani ka dalë i humbur, tha zoti Rama duke folur për “një tallje të madhe”.
Ndërsa deklaroi se durimi i shumicës në pushtet po soset, ai ju drejtua me një thirrje të hapur SPAK-ut: “Zonja e zotërinj të SPAK-ut, zgjohuni e dilni në mbrojtje Shqipërisë. Nëse Shqipëria sot është e turpëruar përpara një non grate, një të vdekuri që i bën karshillëk këtij populli dhe tërë dynjasë, këtë turp ka vetëm një që duhet ta mbajë, SPAK-u. Askush tjetër!”

Zoti Rama u kujdes të nënvizonte se kjo “nuk është një thirrje partiake, nuk është një thirrje politike por është thirrja e forcës që e ka udhëhequr dhe që e garanton reformën në drejtësi”, pasi sipas tij “po sfidohet drejtësia dhe se po delegjitimohet SPAk-u dhe i gjithë sistemi i ri i drejtësisë”.

Zoti Berisha është figura më e lartë e përfshirë në listën e Shteteve të Bashkuara, por jo i vetmi, dhe kryeministri nuk ka kërkuar ndonjëherë përse SPAK nuk po vepron dhe ndaj të tjerëve. Ish kryebashkiaku I Durrësit Vangjush Dako, ishte një njeri i afërt me kryeministrin. Socialistët sot llogarisin në parlament si mbështetje të tyre dhe tre votat e deputetëve të Partisë së zotit Tom Doshi, ndërsa falë lidhjeve të qarta me shumicën ish deputeti Aqif Rakipi mundi të fuste në parlament në radhët e socialistëve djalin e tij dhe një tjetër të afërm.

Partia Demokratike, e kontrolluar nga zoti Berisha, e që ka sulmuar shpesh SPAK-un duke e konsideruar si një vegël të kryeministrit, reagoi sot ndaj deklaratave të zoti Rama. Sipas anëtarit të Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi “sulmi i tij është mesazh i koduar ndaj SPAK që prokuroria speciale të tërhiqet nga çështje që prekin drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëz shumë të afërt të tij. Çdo aferë të çon tek Edi Rama, prandaj sulmi i tij i sotëm ndaj SPAK është treguesi më i mirë se kohës së Edi Ramës i ka ardhur fundi.Ai ka vetëm hallin e tij dhe të karriges që e mban peng përmes korrupsionit dhe aleancës me krimin e organizuar. I vetmi turp i SPAK-ut do të ishte, nëse i nënshtrohet dhunës së kryeministrit!”

Ndërsa presidenti Meta reagoi përmes zëdhënësit të tij duke u shprehur se “mbrojtja që kryeministri i jep në publik zotit Dvorani nga partia, është thirrja publike për organet e Drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë se përndryshe do të kenë pasoja”, nënvizoi zëdhënësi i Kreut të Shtetit.

SPAK, nga ana e vet, shmangu reagimet mbi deklaratat e kryeministrit. E pyetur për deklaratat e kryeministrit Rama, zëdhënësja e SPAK-ut u përgjigj se ky institucion nuk kishte asnjë koment.

SHKARKO APP