Zëri i Amerikës shkruan për situatën në Shqipëri: Varianti Delta qarkullon gjerësisht në vend
Në Shqipëri, autoritetet e Shëndetësisë thanë sot se varianti Delta i koronavirusit qarkullon gjerësisht në vend. Deklaratat u bënë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve pasi nga laboratorët e specializuar në Gjermani u konfirmuan 21 raste të këtij varianti. Prej tyre 6 ishin persona të cilët kishin marrë 1 ose dy doza vaksinash. Pavarësisht se është vënë re një shtim i të prekurve, autoritetet thanë se nuk ka ndonjë arsye që të ashpërsohen masat kufizuese ekzistuese
Përgjigja nga laboratori në Gjermani mbi rastet e dyshuara me Delta, duket se është thjesht konfirmimi i një realiteti nga i cili as Shqipëria nuk mund të shpëtonte. Madje të gjitha mostrat e dërguara kanë rezultuar pozitive dhe i përkasin rasteve në të paktën 10 qytete të vendit
“U dërguan 21 mostra klinike nazale dhe faringiale, të cilat kanë rezultuar pozitivë. Këto mostra ne i kemi gjetur në një përhapje në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora”, bëri të ditur drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) Albana Fico.
Ajo shpjegoi se mostrat i përkasin një periudhe nga 1 Qershori deri në 12 Korrik, gjë e cila përforcon atë që deklaroi dhe kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli se varianti Delta po qarkullon gjerësisht në Shqipëri. Për më tepër, dhe nga 21 rastet e konfirmuara, 13 prej tyre i përkasin qytetarëve në Shqipëri, ndërsa vetëm 8, atyre të ardhur nga jashtë.
Prej më shumë se dy javësh, tendenca e rasteve të reja ka ardhur në rritje, dhe sipas zonjës Rakacolli, “rastet po rriten në radhë në komunitetin e personave që vijojnë të mbeten të pavaksinuar”.
Megjithatë, mes rasteve me Delta 6 persona kanë qenë të vaksinuar. “Dy raste kanë lidhje me udhëtimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë qenë të vaksinuara, të dyja rastet me AstraZeneca në Mbretërinë e Bashkuar, në muajin Prill. Dy raste të tjera kanë qenë më Pfizer, vetëm me një dozë, të marrë në Gjermani, por që janë brenda 10 ditësh të periudhës së inkubimit, që do të thotë se nuk kanë krijuar mbrojtje. Dy të tjera janë me vaksinën Coronavac”, deklaroi Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve infektive në ISHP
Zonja Bino, shpjegoi se asnjë prej tyre nuk ka patur nevojë për trajtim spitalor. Në spitalin Infektiv ndodhen 9 pacientë, nga të cilët njëri rezulton të ketë bërë vetëm një dozë të vaksinës, por nuk ka të dhëna nëse është i prekur nga varianti Delta.
Nga 21 të prekurit me Delta, 13 prej tyre kanë krijuar vatra familjare infeksioni.
Rastet me Covid 19 mbeten në rritje. Nëse në 30 qershor kishte vetëm 53 persona aktivë, aktualisht numërohen të paktën 280 të tillë, pra më shumë se pesëfishi. Por pavarësisht kësaj dhe qarkullimit të variantit Delta Komiteti Teknik vlerëson se “mbrojtja është njësoj dhe niveli i masave nuk ka asnjë arsye objektive që të ndryshojë”.
Komiteti Teknik bëri thirrje për respektimin e rregullave anti Covid në fuqi, mes të cilave detyrimi i përdorimit të maskave në mjedise të mbyllura, pothuajse nuk gjen zbatim. Po ashtu autoritetet këmbëngulën në nevojën e vaksinimit si mbrojtës i rëndësishëm dhe ndaj variantit Delta. Aktualisht janë 640 mijë personat e vaksinuar, ose 22.8 përqind e popullatës, nga të cilët gati 499 mijë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës./voa