Zëri i Amerikës: Studimi, 79 për qind e 660 mijë të rinjve duan të ikin nga Shqipëria

Nga VOA-

Në Shqipëri Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë sapo ka kryer një anketim me të rinj nga gjithë vendi, ku shihet një rritje e papunësisë dhe pesimizmit të tyre për të ardhmen.

Drejtuesja e organizatës, Ervjola Osmanaj, thotë se pandemia e thelloi varfërinë e të rinjve dhe shumica e tyre mendojnë vetëm për të emigruar nga Shqipëria.

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri shprehu shqetësim për shtimin e papunësisë në grupmoshat e reja gjatë pandemisë, duke kërkuar më shumë vëmendje nga autoritetet për rininë.

Sipas anketimit më të fundit, papunësia mes të rinjve u rrit nga 49 për qind gjysmën e parë të vitit në 51 për qind në këtë pjesë të dytë të këtij viti kryesisht për shkak të pandemisë dhe karantinës.

Ervjola Osmanaj, Presidente e Rrjetit Kombetar për të Rinjtë në Shqipëri, thotë se të rinjtë shqiptarë po bëhen përditë e më të varfër, më të dhunuar dhe me mendjen nga emigrimi.

“Është përkeqësuar më shumë gjendja e papunësisë së të rinjve, 51 për qind e tyre janë të papunë. Pandemia ndikoi në humbjen e vendeve të punës për shumë të rinj. Pandemia shtoi edhe rastet e dhunës, sepse 88 për qind e vazjave të anketuara pohojnë se kanë pësuar një formë dhune gjatë kësaj periudhe. Emigrimi i të rinjve ka mbetur po ashtu një problem shumë i madh, që ende nuk i është gjetur ndonjë zgjidhje” – tha aktivistja Osmanaj.

Shqipëria aktualisht ka mbi 23 për qind të popullatës në moshat 15 deri në 29 vjeç, ose mbi 660 mijë të rinj, djem e vajza.

Pjesa më e madhe e tyre tani e mendojnë emigrimin si rrugën kryesore dhe të vetme për mbijetesën e tyre dhe të familjes, qofshin këta gjimnazistë dhe studentë.

“Mungesa e perspektivës lidhet me papunësinë në vend. Ti mund të mbarosh një cikël studimesh, por je krejt i pasigurtë për tregun e punës. Arsyet pse të rinjtë largohen nga vendi janë arsye bazike; nuk largohen për eksperiencë pune apo për të marrë një kulturë pune në vendet e BE-së. Ata largohen për të mbijetuar. Ky nuk është një emigrim luksi, por është një emigrim për të mbijetuar, për të gjetur punë me paga që të mbulojnë nevojat e jetesës për vete dhe familjarët” – thotë Osmanaj.

Dekadën e fundit Shqipërinë e kanë lënë afro 150 mijë të rinj për shkak të papunësisë dhe mungesës së perspektivës. Drejtuesja e rrjetit Kombëtar të të rinjve, Ervjola Osmanaj, thotë se të rinjtë shqiptarë nuk emigrojnë për të gjetur një jetë më të mirë, se ky nuk është një emigrim luksi, por ata ikin nga atdheu sepse nuk gjejnë këtu burime jetese.

“35 për qind e studentëve që ka mbaruar një cikël studimesh bachelor shprehin dëshirën për të ikur nga Shqipëria; ndërsa mbi 79 për qind e të rinjve duan të ikin nga Shqipëria. Këto shifra po përkeqësohen nga viti në vit dhe duhet të jenë një këmbanë alarmi për institucionet shtetërore qendrore dhe vendore që të gjejnë zgjidhje për të rinjtë, dhe që ata të ms gjejnë asnjë rrugëdalje për jetën në vendin e tyre dhe mendojnë vetëm të largohen” – tha aktivistja Osmani.

Papunësia më e madhe është në radhët e të rinjve të diplomuar; ose 25 për qind e të rinjve me arsim të lartë dhe të mesëm.

Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë u kërkoi institucioneve vendim-marrëse të përfshihen në një dialog të qëndrueshëm me të rinjtë për të hartuar programe dhe politika në shërbim dhe sa më pranë të tyre, sin ë pushtetin qendror edhe në atë vendor.

SHKARKO APP