“Zëri i Amerikës”: Tensione të tjera brenda dhe jashtë sallës së parlamentit
Në Shqipëri, edhe seanca e sotme e parlamentit u shoqërua me tensione jashtë dhe brenda sallës. Deputetët e opozitës, të cilët erdhën në grup drejt godinës ku zhvillohen seancat, gjetën në hyrje, një gardh me barriera metalike, pas të cilave qëndronin, në numër të shtuar, forcat e Gardës së Republikës. Shumë prej deputetëve demokratë, janë përjashtuar për periudha të gjata nga punimet e parlamentit pas akteve të dhunshme në dy javët e shkuara.
Përpjekjet e përsëritura për të çarë kordonin e punonjësve të sigurisë, çuan në përplasje të herë pas hershme mes palëve. Një parullë e madhe e bardhë, me mbishkimin me gërma të zeza “Edi Rama mafia”, u vendos më pas nga përfaqësuesit e opozitës, mbi barrierat metalike.
Edhe në sallën e parlamentit, deputetët e paktë të opozitës që mundën të hynin, u përpoqën të pengonin zhvillimin normal të seancës. Ata protestuan për praninë e lartë në numër të punonjësve të Gardës, dhe kontrollet që ata kishin ushtruar ndaj tyre, duke akuzuar drejtuesen e parlamentit se e ka kthyer “institucionin më të rëndësishëm të vendit, në një burg të sigurisë së lartë”. Ata thanë se dhe deputetë ndaj të cilëve nuk kishte masë përjashtimi, nuk po lejoheshin të hynin në sallë.
Sërish një grumbull karrikesh u vendos prej tyre rreth foltores për të penguar përdorimin e saj, ndërsa ndërhynë në disa raste në përpjekje për të mos lënë të flasin kolegët socialistë që morën fjalën. Një moment i lartë tensioni u krijua kur deputetja demokrate Elda Hoti u pa të spërkaste dyshemene me radheve të karrikeve, me një solucion të lëngshëm. Ajo u akuzua nga shumica se kishte përdorur benzinë, por zonja Hoti tha më vonë se kishte qenë vetëm një aromatizues.
Ndërsa parlamenti, i mbylli punimet në një kohë të shkurtër, tensionet u rikthyen, kur protestuesit e mbledhur si çdo javë para Bashkisë së Tiranës, u shfaqën para parlamentit. Deputetët e opozitës të bashkuar me ta, u përplasën me njësitë speciale, duke kundërshtuar praninë e tyre “në shkelje të ligjit” në mjediset e parlamentit, institucion i cili është nën mbikqyrjen e Gardës.
Deputetët demokratë ndërhynë me forcë për të larguar punonjësit e policisë. Opozita pretendoi se njëri prej tyre, kishte tentuar t’i drejtonte armën deputetit Luan Baçi, moment që i acaroi dukshëm gjakrat, duke çuar në përplasje të forta. Ishin forcat e Gardës ato që ndërhynë këtë herë për të ulur tensionet, ndërsa njësitë speciale u tërhoqën. Policia mohoi më vonë kategorikisht, akuzat për praninë e armëve nga ndonjë punonjës i saj, duke saktësuar se ligji ndalon që policia të jetë e armatosur gjatë tubimeve./VOA/