Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit , Gabriel Escobar: Ambasadorja Yuri Kim është në sinkron me DASH

Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, bisedoi pak para fillimit të takimit me Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri.

Ja se çfarë u tha nga Escobar në lidhje me amnistinë fiskale dhe qëndrimet e ambasadores Kim.

Pyetje nga VOA: Siç e dimë Shqipëria është një vend i pllakosur nga korrupsioni dhe kohët e fundit qeveria ka bërë të ditur një nismë për një amnisti të gjerë fiskale, deri në 2 milionë dollarë. Ka patur shqetësime nga FMN-ja, Banka Botërore, apo Bashkimi Evropian, se kjo mund të përdoret për pastrim parash. A ndajnë edhe Shtetet e Bashkuara të njejtat shqetësime?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Po edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë së Shqipërisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtasë qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standartet globale dhe me kërkesat e BE-së.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë qëndrim më të qartë, nëse kjo nismë duhet zbatuar, apo braktisur?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nuk dua të hyj në thelbin e diskutimeve që do të kemi me zyrtarët shqiptarë sot, por do të kemi një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ka patur kundërshtime dhe kritika ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, si arkitektë të reformës në drejtësi, veçanërisht nga opozita, duke i kritikuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Por kohët e fundit kemi parë edhe një element të ri, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një fjalim të ditëve të fundit tha, ndonëse nuk e përmendi me emër, por kuptohej, që e kishte fjalën për ambasadoren amerikane, ku u shpreh se “disa ambasadorë të huaj ndihen në gjykatat tona si në shtëpitë e tyre dhe kanë luksin të ndajnë publikisht pëlqimin, ose mospëlqimin e tyre me vendimet e gjykatave”. Cili është reagimi juaj?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithshka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale. Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqiërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve. /VOA/

SHKARKO APP