Zëvendëskryeministri jep detaje të reja për të infektuarin e gjashtë me koronavirus
Ka shkuar në gjashtë persona, numri i të infektuarve me koronavirus në vendin tonë. Personi i gjashtl nuk ka lidhje me dy rastet e konfirmuara fillimisht para dy ditësh.
Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka dhënë detaje të reja për 31-vjeçarin i cili është i gjashti i infektuar me koronavirus. Braçe thotë se ai kishte qëndruar vetëm një ditë në Milano për të vizituar dajën e shtruar në spital atje, ndërsa përcjell një mesazh për të gjithë ata që kanë vizituar Italinë përgjatë dy javëve të fundit.
“Njerez nëse keni qenë në Itali dy javët e fundit rrini në shtëpi! Mos dilni! Mos shkoni në kafe a restorante! Infektoni të tjerë kështu! Ky virus shfrytëzon fort mënyrën tonë të jetesës; E dimë mirë, ne jemi popull shumë social, “behemi shumë” me njeri-tjetrin! I infektuari i 6-të është një djalë i ri që ka shkuar veç për disa orë në Milano, “për të parë dajën e shtruar në spital atje”! Veç kaq pak është dashur! Pastaj dashuria e madhe për njëri-tjetrin këtu e përhap me qejf virusin! Ndaj, nëse ke qenë në Itali, vetëkarantinohu! Rri në shtëpinë tënde! Shpëton veten dhe gjithkënd që do! Bëje tani!”,- shkruan Braçe.