Zgjatja e ligjit për Investimet Strategjike, Tabaku: Dhuratë për të privilegjuarit, përbuz 95% të shqiptarëve
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kundërshton zgjatjen e afatit të ligjit të investimeve strategjike nga qeveria ”Rama 3”. Ajo e ka cilësuar atë një mjet të përdorur për favorizimin e oligarkëve dhe klientelës së lidhur me qeverinë.
”Ky ligj që u miratua si një masë e përkohshme në vitin 2015, ka degraduar në një mekanizëm abuziv që shërben vetëm për të shpërblyer një grusht njerëzish pranë mazhorancës. Ndërsa shqiptarët përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, qeveria shpërndan pasuritë publike me qira simbolike prej 1 euro për klientët e saj”,-shkruan Tabaku.
Ligji i investimeve strategjike ka shkaktuar debate dhe kritika të shumta për mënyrën e zbatimit dhe për rrethin e përfituesve. Tabaku ka bërë thirrje për ndalimin e këtij mekanizmi të dëmshëm, duke kërkuar llogaridhënie dhe drejtësi për pasuritë e shqiptarëve.
Postimi i plotë nga Jorida Tabaku
Një ligj për elitën, një barrë për shumicën: Abuzimet që shkatërrojnë të ardhmen e shqiptarëve. Ndërsa shqiptarët luftojnë çdo ditë për të përballuar çmimet e rritura, pagat qesharake dhe pensionet që nuk mjaftojnë as për mbijetesë, mazhoranca socialiste është fokusuar në një dhe vetëm një qëllim: pasurimin e pakicës së privilegjuar prej 5% dhe klientëve të tyre të lidhur me pushtetin.
Pas 9 vitesh shkatërrimi të bregdetit me skema klienteliste, ku pasuritë publike janë dhënë për 1 euro tek të ashtuquajturit “investitorë strategjikë,” tani shtyjnë edhe më tej afatin e këtij ligji. Dhe më keq akoma: po planifikojnë që investitorët e tyre të privilegjuar të marrin në përdorim brigjet e deteve, lumenjve dhe liqeneve për interesat e tyre personale, duke anashkaluar plotësisht interesat e popullit shqiptar. Ligji i Investimeve Strategjike, që duhej të ishte i përkohshëm, është kthyer në një mjet të përhershëm për abuzim. Kjo është hera e tetë që shtyhet afati i këtij ligji, ndërsa ligjet që do të ndihmonin 95% të shqiptarëve mbeten të bllokuara, të harruara në sirtar ose të refuzuara pa mëshirë.
Ironikja është se Këshilli i Investimeve Strategjike jo vetëm që ka marrë më shumë pushtet, por ka gjithnjë e më pak llogaridhënie. Asnjë investitor serioz i huaj nuk ka ardhur për shkak të këtij ligji. Asnjë projekt strategjik për zhvillim nuk është ndërtuar. I gjithë ligji është një mekanizëm për të pasuruar një grusht njerëzish që kontrollojnë çmimet e ushqimeve, tregjet dhe pasuritë kombëtare. Ky është ligji i klientelës, jo i shqiptarëve.
Prej 9 vitesh, Shqipëria është e bllokuar në hartimin e një kuadri serioz për investimet, një mekanizëm që do të garantonte konkurrencë të ndershme dhe do të tërhiqte investitorë të vërtetë. Dhe ndërkohë që vendet e rajonit tërheqin më shumë investime të huaja, ne mbetemi peng i një sistemi që shpërblen klientët dhe ndëshkon të ndershmit. Kjo është Shqipëria e padrejtësisë, ku as investitorët shqiptarë, as ata të huaj nuk kanë akses në tenderët publikë, në garat e hapura apo në koncesionet e ndershme. Gjithçka është rezervuar për miqtë dhe klientët e mazhorancës.
Ata votojnë me kartonë të komanduar për ligje me porosi, ndërsa shqiptarëve u tregojnë përralla me komisione të posaçme dhe reforma boshe. Kjo nuk mund të vazhdojë më. Ky është ligji i dhuratave për të privilegjuarit! Ky është ligji që përbuz 95% të shqiptarëve! Dhe shqiptarët nuk do ta pranojnë më.