Zgjatja e Vetting-ut në Drejtësi, PS tri javë kohë për të bindur PD

Për PS-në ka nisur numërimi mbrapsht për gjetjen e votave në mënyrë që amendamenti kushtetues për zgjatjen e afateve të organeve të Vetting-ut të miratohet. Këshilli i Legjislacionit i dha dritën jeshile raportit që do t’i përcillet për votim seancës plenare ku qasja e shumicës ishte e njëjtë si në tre muajt e fundit, afati për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik duhet të shtyhet deri në dhjetor të vitit 2024.

Rregullorja e Kuvendit parashikon se ndryshimet kushtetuese shkojnë për votim në seancë plenare jo më parë se dy javë nga miratimi i raportit dhe jo më vonë se tre javë. Çka do të thotë se amendamenti kushtetues duhet të votohet në datat 3-10 shkurt.

Socialistët kanë në sallë 77 deputetë ku përfshihen edhe tre deputetët e Tom Doshit, kësisoj u duhen së paku edhe 17 vota të tjera nga ato të opozitës.

10 shkurti është afati maksimal për të bindur Bashën të rishikojë prioritetet, në mos nga rivalët politikë, nga aleatët ndërkombëtarë në emër të të cilëve kryedemokrati flet shpesh së fundmi.

SHKARKO APP