Zgjedhjet/Basha prezanton planin e PD-së: 7 pikat për ngritjen e ekonomisë
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me Konfindustrinë, ku ishte i pranishëm administratori i përgjithshëm Gjergj Buxhuku dhe bashkëpunëtorë të tij. Gjatë diskutimeve, janë theksuar vështirësitë kryesore që ka industria dhe biznesi në tërësi.
Basha ka shpalosur edhe pikat e programit ekonomik të PD-së. Pikat kryesore të planit ekonomik të PD-së sipas liderit demokrat do të jenë; ulja e taksave, thithja e investimeve të huaja, bashkëpunimi me biznesin, respektimi i sigurisë juridike, implementimi i taksës së sheshtë 9%, eliminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve.
”Respektimi i sigurisë juridike e gërshetuar me politika të qëndrueshme fiskale dhe rregullatore do të jenë boshti kryesor i platformës tonë. Implementimi i taksës së sheshtë 9%, eliminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve do të jenë faktorë vendimtar në parandalimin e konkurrencës së pandershme në treg. Reformat tona do të jenë të qarta, konkrete dhe të realizueshme. Vetëm kështu do të mund të fuqizojmë ekonominë dhe industrinë vendase, do të hapim vende të reja pune dhe të rrisim mirëqenien e shqiptarëve”,-thuhet në njoftimin e PD-së.
Njoftimi i plotë nga PD-ja
Mungesa e konkurrencës së lirë, korrupsioni endemik, burokracitë, taksat e larta dhe shpenzimet buxhetore jo të orientuara në shërbim të nevojave reale, por shpeshherë në kontrata dhe projekte inefiçente, mbeten shqetësimet kryesore të industrialistëve shqiptarë.
Gjatë bisedës me Administratorin e Përgjithshëm të Konfindustrisë (Konfederata e Industrive të Shqipërisë), z. Gjergj Buxhuku dhe bashkëpunëtorët e tij, ndamë jo vetëm shqetësimet e situatës ekonomike dhe financiare të bizneseve, por edhe vizionin e përbashkët mbi zhvillimin ekonomik të vendit gjatë viteve të ardhshme.
Konkurrenca e pandershme, përfshirja në ekonominë shqiptare të parave me origjinë të dyshimtë, mungesa e politikave mbrojtëse të prodhimit vendas, aksesi i ulët në kreditimin e ekonomisë, mungesa e sigurisë juridike në respektimin e kontratave dhe ndryshimet e shpeshta të politikave fiskale ishin kryefjala gjatë bashkëbisedimit tonë.
Ky bashkëbisedim shërbeu për të diskutuar mbi planin tonë ekonomik, të cilin po e përshtasim me realitetin e ri ekonomik të krijuar për shkak të pandemisë Covid-19. Ulja e taksave, thithja e investimeve të huaja, bashkëpunimi me biznesin, i cili në filozofinë tonë konsiderohet si punëdhënës dhe jo thjesht si taksapagues do të jenë prioritet.
Respektimi i sigurisë juridike e gërshetuar me politika të qëndrueshme fiskale dhe rregullatore do të jenë boshti kryesor i platformës tonë. Implementimi i taksës së sheshtë 9%, eliminimi i lejeve, licencave dhe autorizimeve do të jenë faktorë vendimtar në parandalimin e konkurrencës së pandershme në treg. Reformat tona do të jenë të qarta, konkrete dhe të realizueshme. Vetëm kështu do të mund të fuqizojmë ekonominë dhe industrinë vendase, do të hapim vende të reja pune dhe të rrisim mirëqenien e shqiptarëve.