Zgjedhjet drejt shifrave: 45 me 15 për të majtën, realizohet “profecia” e Edi Ramës

Nga 61 bashki 45 i fiton e majta, 15 e djathta dhe 1 bashki në Finiq e ka fituar një kandidat i pavarur.

Kryeministri Edi Rama premtoi para zgjedhjeve se koalicioni i majtë do të fitonte 45 bashki. Dhe gjasat kur procesi po shkon drejt të fundit janë që e majta të fitojë pikërisht as më pak e as më shumë, por fiks 45 bashki.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 orë nga mbyllja e procesit të votimit, në 6 bashki vazhdon ende numërimi i votave.

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave në 55 bashki. Në 41 prej tyre kanë fituar kandidatët e majtë, ndërsa në 13 fitues janë kandidatët e së djathtës dhe 1 i partisë së minoritetit grek "Mega".

Në 6 bashkitë e mbetura, janë tre nga më të mëdhatë në vend, Tirana, Durrësi, e Shkodra. Në Tiranë e Durrës, fitorja duket se po anon dukshëm majtas dhe pritet sot të shpallen fituesit, për kryeqytetin Erjon Veliaj dhe për qytetin bregdetar, Vangjush Dako. Voltana Ademi në Shkodër dhe Xhelal Mziu në Kamëz, ku vazhdon procesi i numërimit të votave, janë dy shpresat e mëdha të së djathtës për të fituar dhe për të rritur numrin nga 13 bashkisë që kanë fituar deri tani në 15.

Në Tiranë janë numëruar më shumë se 95% e votave, por janë ende 37 kuti për t’u numëruar. Aktualisht vazhdon procesi i numërimit, megjithëse me ritme të ngadalta. Kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj udhëheq bindshëm me rreth 41 mijë vota diferencë nga kandidati i APPD, Halim Kosova.

Rreth 66% e votave janë numëruar në Bashkinë e Durrësit. Edhe këtu kandidati i ASHE, Vangjush Dako ka krijuar epërsi ndaj rivales Grida Duma, me diferencë rreth 10 mijë vota. Edhe në këtë bashki vazhdon të numërohet, por me ritme të ngadalta.

Një tjetër bashki e madhe ku ende nuk ka përfunduar numërimi është ajo e Shkodrës, ku procesi nisi vetëm gjatë mëngjesit të së hënës. Deri në orët e para të së martës janë numëruar rreth 45% e votave, ku kandidatja e APPD, Voltana Ademi ka marrë 27 mijë vota, ndërsa rivalja e saj, Keti Bazhdari ka marrë rreth 19 mijë të votave. Edhe këtu diferenca duket e madhe megjithëse ende nuk janë numëruar gjysma e kutive të votimit.

Në Bashkinë e Kamzës janë numëruar rreth 70% e votave dhe gara është vërtetë e ngushtë mes Xhelal Mziut të APPD dhe Safet Gjicit të ASHE. Kandidati aktual i bashkisë, Mziu kryeson me rreth 1.300 vota.

Në Berat kanë mbetur vetëm 16 kuti për t’u numëruar, por ky proces është ndërprerë pak para mesnate dhe pritet të fillojë në rreth orës 08:00. Kandidati i ASHE, Petrit Sinaj kryeson me një diferencë prej 1.600 votash ndaj Kasëm Mahmutaj të APPD-së.

Një tjetër bashki ku procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar, madje janë numëruar më pak se në çdo bashki tjetër, është Malësia e Madhe. Ku deri në orët e para të së martës janë numëruar rreth 44 për qind të votave dhe gara është shumë e ngushtë. Tonin Marinaj i ASHE kryeson me vetëm 329 vota.

Bashkitë e fituara nga kandidatët e majtë:

 

1. Poliçan, Adriatik Zotkaj

2. Skrapar, Nesim Spahiu

3. Pukë, Gjon Gjonaj

4. Fushë-Arrëz, Fran Tuçi

5. Has, Adem Lala

6. Delvinë, Rigles Balili

7. Kolonjë, Arben Malo

8. Libohovë, Luiza Mandi

9. Belsh, Arif Tafani

10. Himarë, Jorgo Goro

11. Cërrik, Altin Toska

12. Konispol, Shuaip Beqiri

13. Pustec, Edmond Themelko

14. Mirditë, Ndrec Dedaj

15. Roskovec, Majlinda Bufi

16. Ura Vajgurore, Juliana Memaj

17. Gramsh, Luljeta Dollani

18. Sarandë, Floriana Koka

19. Rrogozhinë, Beqir Nuredini

20. Korçë, Sotiraq Filo

21. Peqin, Saimir Hasalla

22. Tepelenë, Tërmet Peçi.

23. Kurbin, Artur Bardhi

24. Lushnje, Fatos Tushe

25. Këlcyrë, Klement Ndoni

26. Shijak, Ardian Kokomani

27. Memaliaj, Durim Rroshi

28. Fier, Armando Subashi

29. Gjirokastër, Zamira Rami

30. Elbasan, Qazim Sejdini

31. Librazhd, Kastriot Gurra

32. Patos, Rajmonda Balilaj

33. Divjakë, Fredi Kokoneshi

34. Maliq, Gëzim Topçiu

35. Vlorë, Dritan Leli

36. Bulqizë, Melaim Damzi

37. Kuçovë, Selfo Kapllani

38. Dibër, Shukri Xhelili

39. Prrenjas, Miranda Rira

40. Kavajë, Elvis Roshi

41. Krujë, Artur Bushi

 

Bashkitë e fituara nga kandidatët e djathtë:

 

1. Klos, Basir Çupa

2. Tropojë, Besnik Dushaj

3. Përmet, Niko Shupuli

4. Mat, Nezir Rizvani

5. Selenicë, Përparim Shametaj

6. Vorë, Fiqiri Ismaili

7. Pogradeci, Eduart Kapri

8. Vau i Dejës, Zef Hila

9. Kukës, Bashkim Shehu

10. Mallakastër, Agron Kapllanaj

11. Dropull, Arqile Deçka

12. Devoll, Bledjon Nallbati

13. Lezhë, Fran Frrokaj

 

 

Bashkia e Finiqit fitohet nga Mega, me Leonidha Kristo.

SHKARKO APP