Zgjedhjet e 11 majit, ministri Hoxha tregon sa shtetas kanë të drejtë vote

Ministria e Brendshme ka nisur zyrtarisht procesin e përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, tha se janë 3,721,116 shtetas kanë të drejtë vote. “Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të drejtën e votës e gëzojnë 3,721,116 shtetas. Ndër ta, 50.5 % janë zgjedhës meshkuj dhe 49.5 % janë femra. Deri në këtë moment të papërfshirë në listë janë 4,536 shtetas, të cilët janë mbi 100 vjeç, që mbushin apo kanë mbushur këtë moshë deri në 11 maj 2025. Për të siguruar të drejtën e votës, këta qytetarë duhet të paraqiten pranë zyrave të Gjendjes Civile, për t’u përfshirë në listën e zgjedhësve”.

Ministri theksoi se aktualisht numri i përgjithshëm i qendrave të votimit brenda limiteve është 5,050 dhe u bëri apel kryetarëve të bashkive që të angazhohen për vendimmarrje për qendrat e votimit që janë jashtë limiteve, me më shumë se 1 mijë zgjedhës apo më pak se 300 të tillë.

“Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore do të përfshihen dy kategori zgjedhësish: Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit; Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit, kjo listë paraprake do të jetë publike në 9 mars 2025 dhe çdo shtetas do të ketë në dispozicion 48 orë për të shprehur vullnetin përfundimisht nëse duan të votojnë brenda apo jashtë Shqipërisë. Ky hap përfaqëson një moment historik për demokracinë shqiptare, duke ofruar mundësinë që diaspora të ushtrojë të drejtën e votës, pavarësisht ku jeton e punon”.

Nga 11 janari 2025 do të nisë procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Shqipërisë për Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025. Ministri njoftoi se regjistrimi do të bëhet nëpërmjet Platformës Elektronike të Regjistrimit të votuesve nga jashtë, në të cilën mund të hyhet nga aplikacioni i KQZ.

“Për regjistrimin nevojitet një pajisje elektronike për verifikimin nëpërmjet fotografimit të fytyrës për regjistrimin në PER dhe skanimin apo fotografimin e dokumentit të identifikimit dhe të dokumentit tjetër të deklarimit të adresës. Ndaj është shumë e domosdoshme dhe apeloj çdo shtetas shqiptar që jeton jashtë vendit, të rinovojë dokumentet e identifikim, duke patur të paktën njërin prej tyre të vlefshëm përgjatë këtij procesi. Prej disa javësh, është miratuar udhëzimi që lejon aplikimin qoftë edhe për një dokument identifikimi në zyrat tona konsullore”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të verifikojnë të dhënat personale në listën zgjedhore. “Në mënyrë që procesi të jetë i sigurt dhe gjithëpërfshirës, qytetarët janë ftuar që të verifikojnë të dhënat personale në listën zgjedhore: Online, përmes portalit e-Albania; Fizikisht, pranë njësive administrative ku listat janë afishuar. Çdo qytetar që has problematika apo paqartësi mund të kontaktojë në platformën e bashkëqeverisjes “Shqipëria që Duam”. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka nisur procesin e verifikimit dhe përditësimit të listave zgjedhore, me qëllim garantimin e një liste përfundimtare të saktë dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi ministri, teksa shprehu angazhimin e institucioneve në përgatitjen e këtij procesi.

SHKARKO APP