Zgjedhjet e 25 prillit, rezultati tashmë i pakthyeshëm
Nga Redjon Shtylla
Pas shumë akuzash nga opozita për vjedhje dhe deformim të votës, sot Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë ankimin e fundit për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit dhe tashmë rezultati është i pakthyeshëm. Ky vendim i hap rrugën certifikimit final nga ana e Komisionit Rregullator pranë KQZ-së, i cili javën e ardhshme do të zyrtarizojë mandatet e subjekteve që morën votat e nevojshme nga qytetarët për t’i përfaqësuar në Parlament.
Partia Socialiste do të ketë në sallën e Kuvendit 74 deputetë, koalicioni i PD-së me 59. Me vetëm 4 ulëse, LSI-ja do të rikthehet në Kuvend, ndërsa me 3 deputetë, PSD-ja e Tom Doshit po ashtu do të ulet në Kuvend. Luljeta Boza është deputetja në moshën më të thyer. 79-vjeçarja ishte renditur e dyta listën e deputetëve të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, kurse eputetja më e re në moshë është Andia Ulliri, pjesë e listës së deputetëve të PD-së për qarkun e Durrësit e vendosur në zonën e Fushë-Krujës dhe është vetëm 22-vjeçe.
Përpara se të nis punimet Kuvendi i ri dhe opozita të rikthehet në Kuvend pas dy viteve mungesë, srukturat e PD-së duhet të analizojnë dhe të kenë të mbyllur procesin për të gjetur faktorët e jashtëm që sollën rezultatin e 25 prillit, por edhe performancën e vetë kandidatëve. Në filtrin e kësaj analize do të kalojnë edhe 12 aleatët e demokratëve, kjo për të parë nëse bashkëpunimi me ta ka funksionuar apo jo. Më 17 korrik, Kuvendi Kombëtar i PD-së do të diskutojë mbi mundësinë e ndryshimeve staturore. Si pjesë e grupit të punës së sekretariatit të përhershëm statutor, duhet të ketë risi.
Në shtator LSI-ja do të rikthehet në Kuvend me vetëm 4 deputetë, dhe me shumë mungesa të faktorit rini. Kejdi Mehmetaj ishte një prej deputeteve më aktive të LSI-së, por ajo nuk do të ulet më në Kuvend, pasi më 25 prill nuk e fitoi mandatin e deputetit. ”Mua më vjen mirë që PD-ja, apo kushdo parti tjetër në një periudhë kaq të shkurtër pas zgjedhjeve dhe em aq shumë sa ndodhën gjatë zgjedhjeve ka arritur që ta përfundojë analizën e saj dhe të dalë në konkluzione. PD-ja si partia më e madhe opozitare, përpara se të gjejë fajtorë, duhet të analizojë mirë aksionet e saja, sa drejt ka vepruar dhe nëse është përballur ashtu siç duhet”,-tha për ”A2cnn”.