Zgjedhjet e 30 qershorit, zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese: Nuk është në juridiksionin tonë
Për zgjedhjet lokale të 30-qershorit 2019 ku pjesë mori vetëm PS-ja pasi opozita bojkotoi, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj thotë se ankimuesja s’legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues. “Gjykata vlerëson se në lidhje me kërkimin e parë të kërkesës në shqyrtim çështja nuk bën pjesë në juridiksionin kushtetues, kurse në lidhje me kërkimin e dytë kërkuesja nuk legjitimohet për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues”.
Argumenti tjetër i Gjykatës Kushtetuese është moslegjitimi i kërkueses, Voltana Ademi, e cila nuk kishte të drejta të vinte në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
“Për verifikimin e kushtetutshmërisë së partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre, sipas nenit 57 të ligjit nr. 8577/2000, Gjykata vihet në lëvizje me kërkesë të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të jo më pak se një të pestës së deputetëve, të Avokatit të Popullit dhe të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Për rrjedhojë, në lidhje me këtë kërkim kërkuesja nuk legjitimohet ratione personae, duke qenë se nuk bën pjesë në rrethin e subjekteve që mund të vënë në lëvizje Gjykatën për ushtrimin e kompetencës së saj të parashikuar në nenin 131, pika 1, shkronja “d”, të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pas opinionit final të Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, Gjykata Kushtetuese u mblodh më 2 nëntor në seancën e ndërprerë plenare për të diskutuar.
KËRKESA E SHOQATËS SË BASHKIVE TË SHQIPËRISË
1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
VAKANCAT NË BASHKI
Valdrin Pjetri, Shkodra, për shkak të dekriminalizimit
Valbona Sako, Durrës, për shkak të dorëheqjes
Agim Kajmaku, Vorë, për shkak të dekriminalizimit
Dionis Imeraj, Dibër, kandidoi për deputet
Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta
Fatos Tushe, Lushnje, për korrupsion