Zgjedhjet e pjesshme vendore, Damian Gjiknuri takim me strukturat e Partisë Socialiste në Rrogozhinë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga deputeti Etjen Xhafaj dhe kandidati për Bashkinë e Rrogozhinës, Edison Memolla, kanë zhvilluar një takim me strukturat e PS-së.
Në fjalën e tij numri dy i Partisë Socialiste u bëri thirrje qytetarëve të Rrogozhinës të votojnë Edison Memollën në mënyrë që, me mbështetjen e qeverisë, të bëhet zëri i tyre dhe të çojë përpara projektet e nisura në Rrogozhinë.
“Ju duhet të jeni krenar se mbi të gjitha keni një djalë tuajin, djalë socialist, atë që keni dashur, nga një familje që ka qenë shtyllë e Partisë Socialiste. Kjo duhet t’iu bëjë shumë krenar dhe t’iu motivojë dy herë më shumë. Jam i bindur që do jeni krenar me këtë djalë tuajin, që u provua edhe këto kohë. Nuk ishte i zgjedhur, ishte i caktuar, sepse ashtu erdhën rrethanat, por tani jepini zemër këtij njeriu, jepini kurajo me sa më shumë vota, që ky të ketë moral, por edhe të ndjehet i obliguar. Nuk është çështja ta çojmë në zyrë; nuk duam thjesht të çojmë Edin në zyrë si Parti Socialiste, por Edi duhet të jetë njeriu që do t’iu përgjigjet, por ju duhet ta respektoni me votë që edhe këtij ti ngrihet zëri, të nderohet dhe të thotë që vërtet unë jam i votuar nga Rrogozhina”, u shpreh Gjiknuri.