Zgjedhjet lokale, PS: Kandidatët, pa të shkuar kriminale

Partia Socialiste do të publikojë ditën e hënë listën e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Deputeti Socialist Armando Subashi tha se përzgjedhja e kandidatëve po bëhet duke u bazuar tek dekriminalizimi.

Sipas tij, Kryesia e PS po shqyrton të gjitha kandidaturat e propozuar nga strukurat e kësaj partie në të gjithë vendin.

“Ne jemi në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve. Kryesia e Partisë Socialiste është duke u konsultuar me bazën dhe sigurisht kur të vijë momenti për përzgjedhjen përfundimtare të kandidaturave, do të kihen parasysh të gjitha cilësitë etiko­morale të të gjithë kandidatëve. Kjo çështje është e zgjidhur për Partinë Socialiste”, u shpreh Subashi.

Përsa i përket platformës së Partisë Demokratike për dekriminalizmin, Subashi tha se duhen ndryshime rrënjësore në Kushtetutë, pasi vetëm me amendamente është e pamundur që të kemi një ligj të pranueshëm.

“Për të sjellë ligjin për dekriminalizimin ne duhet të ndërhyrjmë në Kushtetutë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të sjellim një ligj të mirë dhe të pranuar nga të gjithë aktorët”, vijoi më tej Subashi.

Gjithashtu, anëtari i Komisionit të Ligjeve, tha se pavarësisht se pas 3 muajsh do të ketë zgjedhje lokale, ndryshimet kushtetuese mund të bëhen, pasi nuk cënojnë organizimin e këtyre zgjedhjeve.

SHKARKO APP