Zgjedhjet lokale/ Veliaj: Për ne s’ka rëndësi se kush do jetë Luli i radhës, njerëzit pro progresit

Duke folur per zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehet se Tirana nuk do t’ia dijë se kush është Luli i radhës, që cakton sipas tij dyshja Berisha-Meta.

“Për ne nuk ka rëndësi se kush do jetë Luli i radhës. Opozita e gruas dhe e burrit ka ndryshuar emrin dhe niptin – këto janë budallallëqet e tyre – por në thelb, janë po këta njerëz, Saliu dhe Iliri, që kemi 30 vjet që i njohim dhe që ende nuk po thonë nëse kanë bërë dot një shkollë në Tiranë. Propozimi ynë është: Ata që bënë 43 shkolla, të bëjnë edhe të fundit, të mbarojnë të gjithë transformimin e Tiranës. Kjo do jetë beteja. Pastaj jam i sigurt se secila prej opozitave do ketë kandidatët e vet”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e njerëzve duan që gjërat të vazhdojnë përpara. Po ashtu Veliaj theksoi se Berisha dhe Meta i përkasin së kaluarës dhe i kërkojnë votat vetëm për interesat e tyre personalë.

“Sondazhet janë jashtëzakonisht pozitive, shumica dërrmuese e njerëzve duan që gjërat të vazhdojnë përpara, duan që Tirana të mbajë këtë ritëm, që të vazhdojë të rritet vlera e pronës, duan që të vazhdojë progresi i qytetit dhe reputacioni që ka qyteti. E duan qytetin me kaq shumë aktivitet dhe me jetë. Shumica dërrmuese, edhe ata që nuk na kanë votuar herën e parë, thonë: Partia ime kryesore janë fëmijët – çerdhet, kopshtet, shkollat janë transformuar në Tiranë, prandaj ne do te ecim përpara. Eshte fakt se zona rurale, ku ne tipikisht kemi qenë në opozitë, sot masivisht votojnë këtë llojë progresi”.

SHKARKO APP