Zgjedhjet, Lu: Kemi identifikuar kandidatë me histori kriminale
Ka reaguar ambasadori amerikan Lu. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë ka identifikuar disa kandidatë me histori të mundshme kriminale të cilët janë zgjedhur nga forcat politike për të garuar në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, ndërsa menjehrë pas këtij konstatimi kanë nisur disktutimet me liderët politikë.
Lajmin e bëri publik ambasadori amerikan në vendin tonë Doland Lu i cili tha se SHBA-të do të japin më shumë se gjysmë milionë dollarë mbështetje për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve më qëllim që të jenë të lira dhe të ndershme.
“Premtuam se do të shqyrtonim listat e kandidatëve për të kërkuar për emra personash që kanë qenë të arrestuar apo të dënuar për krime të rënda qoftë në Shqipëri apo në vende të tjera. Në përgjithësi ndihemi mirë për listat, nga prania e një numri të madh kandidatësh të aftë. Por kemi identifikuar disa emra me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke i diskutuar rastet e tyre me përgjegjësi me udhëheqësit e tyre politikë" u shpreh shefi i diplomacisë amerikane në vendin tonë.
Zgjedhjet mund t’i bëjnë të lira vetë shqiptarët tha Lu.
“Nxisim gazetarët, OJQ-të dhe qytetarët e thjeshtë të kërkojnë që politikanët të përmbushin kriteret dhe standardet.Të huajt nuk do ti bëjnë këto zgjedhje të mira, por janë gratë dhe burrat e guximshëm të shoqërisë tuaj civile që do të sigurojnë që demokracia shqiptare të jetë e mbrojtur”, tha ambasadori amerikan.