Zgjedhjet në 2025/ Kreu i KQZ, Celibashi flet për votimin e shqiptarëve nga diaspora: Vetëm përmes postës
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor tashmë i kanë hapur rrugën procesit të votimit nga jashtë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025. ”KQZ ka filluar që në ditën e parë pas miratimit të ndryshimeve në Kuvendin e Shqipërisë me përgatitjen e këtij procesi, duke filluar me listimin e të gjithë atyre akteve rregullatore dhe nevojave logjistike për realizimin e tij”, shtoi ai.
Celibashi konfirmoi se të gjithë ata qytetarë shqiptarë me të drejtë vote, të cilët gjenden në ditën e votimit jashtë territorit të Shqipërisë kanë të drejtë të votojnë. ”Çdo qytetar shqiptar me të drejtë vote që banon jashtë territorit të Shqipërisë dhe do të votojë atje ku ai ka vendbanimin, do të duhet të regjistrohet nëpërmjet kësaj platforme, e cila ofron të gjithë garancitë dhe sigurinë mbi identitetin e votuesit”, u shpreh Celibashi.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë do të votojnë vetëm nëpërmjet postës. ”Fleta e votimit do t’i dërgohet aty ku ata banojnë ose tek ajo adresë që ata do të deklarojnë nëpërmjet shërbimit postar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe do të kthehet në KQZ prej tyre nëpërmjet shërbimit postar”,-shtoi ai.
I pyetur mbi llogaritjen e votës të atyre që votojnë nga jashtë, Celibashi sqaroi se vota e atij që voton nga jashtë do të llogaritet në rezultatin e zgjedhjeve të qarkut ku ai ka regjistrin e gjendjes civile në territorin e Shqipërisë. ”Një qytetar i cili e ka regjistrin e gjendjes civile në qarkun e Tiranës (në një nga bashkitë e qarkut të Tiranës) edhe pse ai prej vitesh mund të banojë jashtë territorit të Reublikës së Shqipërisë, në Milano, Berlin, Londër, etj, vota e tij do të llogaritet për deputetët e Qarkut të Tiranës”, shtoi ai.