Zgjedhjet në Greqi, ambasadori Dervishi: Rreth 100 mijë shqiptarë me të drejtë vote
Zgjedhjet për Parlamentin e ri në Greqi po vijojnë të qeta dhe pjesë e tyre pritet të jenë rreth 100 mijë Shqiptarë.
Lajmin e bëri të ditur Ambasadori Shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, i cili në një prononcim për një media vizive, theksoi se zgjedhjet kuvendore në shtetin fqinjë janë të qeta, ndërsa foli dhe për pjesëmarrjen e shqiptarëve.
“ Zgjedhjet kanë nisur rreth orës 7:00’ të mëngjesit dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë incident. Koha është favorshme për qytetarët që kërkojnë të marrin pjesë në votime. Sipas informacioneve që kemi, rreth 100 mijë shqiptarë kanë të drejtë të votojnë dhe kjo mjaft e rëndësishme”, vlerësoi Dervishi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se në këto zgjedhje ka dhe kandidatë shqiptarë dhe votimi i shqiptarëve do të ndikonte në dëgjimin e zërit tonë në kuvendin Grek.
Proçesi zgjedhor në Greqi është çelur në orën 7:00’ dhe pritet të mbyllet në orën 19:00’. Në këto zgjedhje janë thirrur për të votuar 9 808 760 persona, ndërkohë që numërohen 19 449 qendra votimi.