Zgjedhjet në Mal të Zi, Ditmir Bushati: Përcaktuese për stabilitetin politik dhe orientimin strategjik të fqinjit tonë
Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u ka bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë masivisht për kandidatët dhe partitë politike shqiptare.
Bushati shprehet se “shqiptarët kanë mundësi të mbrojnë e promovojnë të drejtat e tyre në bashkëjetesë me malazezët dhe grupet e tjera etnike dhe njëkohësisht të fuqizojnë identitetin euro-atlantik të Malit të Zi”.
Mesazhi i plotë i Ditmir Bushatit
Këtë të diel Mali i Zi zhvillon zgjedhjet parlamentare. Zgjedhje këto përcaktuese për koordinatat e stabilitetit politik dhe orientimin strategjik të fqinjit tonë.
Shqiptarët në Malin e Zi kanë qenë vendimtarë në shpalljen dhe garantimin e pavarësisë në vitin 2006 dhe anëtarësimin në NATO në vitin 2017.
Para një viti në Tuz, kësaj të diele në Ulqin, Guci, Plavë dhe në të gjithë Malin e Zi, duke votuar masivisht për kandidatët dhe partitë politike shqiptare të grupuara në dy koalicione, shqiptarët kanë mundësi të mbrojnë e promovojnë të drejtat e tyre në bashkëjetesë me malazezët dhe grupet e tjera etnike dhe njëkohësisht të fuqizojnë identitetin euro-atlantik të Malit të Zi.
Maksimizimi i votës dhe forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, shoqëruar me thellimin e partneritetit me forcat progresiste malazeze përbën garanci për sigurimin e stabilitetin politik në vend, rrugën euro-atlantike, dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi.
Një fqinj stabël, demokratik, në harmoni ndëretnike, anëtar i NATO-s dhe bashkudhëtar në rrugën drejt anëtarësimit në BE, është në interesin e Shqipërisë dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Europën Adriatike.