Zgjedhjet në Rusi/Sot Putini rizgjidhet, por cakton edhe kufirin e ri me Ukrainën!
Në Rusi mbahen zgjedhjet presidenciale. Natyrisht që fiton Putin. Por zgjedhjet po zhvillohen edhe në zonat e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, të cilat Moska i quan toka dhe popullsi ruse.
Në fakt, Putini sot jo vetëm rizgjidhet president, por indirekt i çon mesazh Perëndimit dhe Ukrainës se ku po votohet sot në Ukrainë për presidentin e ri, aty është kufiri!
Pra sot Putin caktoi edhe kufirin e ri, sipas tij. Natyrisht që Zelenski dhe Perëndimi nuk e njohin, por Putin dha mesazhin se nga këtu fillojnë bisedimet.
Kronika e DW:
Zgjedhjet në Rusi u shoqëruan të shtunën me protesta të veçuara. Edhe të dielën priten aksione protestash. Fituesi i tyre dihet, por Putin do të krijojë iluzionin e demokracisë, thonë analistët.
Rregullisht, thuhet se Rusia është një diktaturë ndërkohë, megjithatë nga 15 deri në 17 mars vendi po zhvillon zgjedhje presidenciale. Rezultati dihet që para zgjedhjeve: Fituesi do të jetë Vladimir Putin, i cili ka qenë në krye të vendit në 25 vitet e fundit, dhe do të fitojë edhe një mandat të pestë. Në Kremlin të paktën kështu Putin do ishte deri në vitin 2030.
Të shtunën zgjedhjet në Rusi u shoqëruan me protesta të veçuara. Edhe të dielën priten aksione protestash.
E vetmja figurë e qartë opozitare, politikani liberal Boris Nadeshdin është ndaluar të kandidojë nga gjykatat ruse, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Në zgjedhje kandidon Nikolai Kharitonov, 75 vjeç, i cili përfaqëson partinë komuniste lokale. Kandidati i kësaj partie zakonisht vjen i dyti pas Putinit, me distancë të madhe humbjeje. Kharitonov ka kritikuar disa nga politikat e brendshme të Putinit, por mbështet pushtimin rus të Ukrainës.
Në garë është edhe Vladislav Davankov. 40-vjeçari është një nga kandidatët më të rinj dhe e ka paraqitur veten më shumë liberal kur bëhet fjalë për frenimin e lirive individuale në Rusi. Megjithatë, ai ka thënë gjithashtu se nuk do të kritikojë kundërshtarët e tij politikë. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Kharitonov dhe Davankov mund të marrin secili nga 4% deri në 5% të votave totale.
Por megjithëse të gjithë vëzhguesit e Rusisë thonë se Putini është para fitores, zgjedhjet edhe në Rusi duhet t’i shërbejnë një qëllimi. Ato duhet të ndihmojnë në adresimin e sfidave të brendshme dhe të jashtme me të cilat përballet regjimi i Putinit, thekson Konstantin Kalachev, një analist politik dhe ish-këshilltar i Kremlinit. Brenda vendit, zgjedhjet lejojnë legjitimimin e pushtetit të presidentit dhe demonstrojnë se populli rus është i bashkuar rreth liderit të tij, sipas Kalachev. “Dhe nga jashtë, ato duhet të tregojnë, se Putini zbaton politikën [e jashtme] bazuar në kërkesat e njerëzve,” tha Kalachev për DW. “Ato bëjnë të qartë, se presidenti dhe shumica ruse janë të bashkuar dhe dua ta shpërndajnë çdo iluzion në Perëndim.”
Nuk është e lehtë të bindësh njerëzit të dalin dhe të votojnë në një vend ku dihet rezultati i zgjedhjeve që më parë. Sipas Meduza, një portal i pavarur lajmesh me qendër në Letoni, në fillim të këtij muaji, autoritetet ruse po marrin masa për të siguruar që zgjedhjet presidenciale të duken sa më legjitime.
Qëllimi është një pjesëmarrje zgjedhore prej 80%. Kjo bëhet, sipas Meduza, “duke mobilizuar elektoratin e varur nga qeveria: punonjësit e sektorit publik, punonjësit e institucioneve shtetërore ruse dhe kompanive të mëdha, besnike ndaj qeverisë, si dhe të afërmit dhe miqtë e tyre”.
Nga anëtarët e partisë së Putinit, “Rusia e Bashkuar” kërkohet që të sjellin të paktën 10 persona me vete në qendrat e votimit, informon Meduza duke cituar kontakte të afërta me partinë politike. Zyrtarët e qeverisë dhe partiakë mund të shohin saktësisht se kush ka votuar, falë votimit elektronik apo kodeve dixhitale që identifikojnë votuesit.
Në fjalimin e tij drejtuar kombit në Asamblenë e Përgjithshme të Rusisë në fund të shkurtit, Putin u premtoi rusëve përmirësime sociale dhe përsëriti vendosmërinë e tij për të vazhduar të ashtuquajturin operacion ushtarak në Ukrainë.
Edhe në zonat e pushtuara si Donjeck Putini ka vendosur mbajtjen e zgjedhjeveEdhe në zonat e pushtuara si Donjeck Putini ka vendosur mbajtjen e zgjedhjeve
Megjithëse kandidati i vetëm anti-Putin, Nadezhdin u ndalua të marrë pjesë në zgjedhje, ka mundësi për një votë proteste. Shumë opozitarë rusë janë larguar nga vendi, por ata u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre të jenë aktive gjatë zgjedhjeve.
E veja e liderit të opozitës ruse të ndjerë së fundmi, Aleksei Navalny, Julia Navalnaya u bëri thirrje mbështetësve të dalin masivisht në qendrat e votimit në mesditën e së dielës, 17 mars, për të nderuar bashkëshortin e saj të ndjerë, Navalny. “Ju mund ta prishni fletën e votimit, mund të shkruani “Navalny” me shkronja të mëdha në të”, u shpreh Yulia Navalnaya në një video në YouTube. “Edhe nëse nuk shihni fare kuptim në votime, thjesht shkoni qëndroni në qendrën e votimit e pastaj kthehuni në shtëpi”, sugjeroi ajo, duke shtuar se njerëzit mund të votojnë për “këdo përveç Putinit”.
Turma të mëdha që dalin para qendrave të votimit nuk do ta ndryshojnë rezultatin përfundimtar, por ato mund t’i japin krisje imazhit se rusët mbështesin pa dallim në masë të madhe Putinin, u shpreh Nikolay Petrov, studiues i grupit studimor, Europa Lindore dhe Euroazia në Fondacionin Gjerman, Shkenca dhe Politika. “Është gabim të mendosh se është më e lehtë për regjimet autoritare të kenë zgjedhje sesa për demokracitë,” argumenton Petrov. “Është shumë e rëndësishme që Putini t’i tregojë elitës së tij politike se ai mbështetet nga shumica dërrmuese e rusëve. Kjo është arsyeja pse Kremlini dëshiron të demonstrojë rezultate shumë të mira dhe gjithashtu të shmangë çdo skandal”.