Zgjedhjet, Veliaj thirrje PD-së: Mos u tallni me njerëzit si te Pallati nr. 4, jo politikë me jetën

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i bën thirrje opozitës që të mos bëjë politikë me jetën e qytetarëve. Duke marrë si shembull sjelljen e kandidatit të Sali Berishës për Bashkinë e Tiranës, me banorët e Pallatit nr.4 në rr. “Myslym Keta” pak ditë më parë, Veliaj tha se nëse ata do ishin ende në ato banesa, tërmeti i tre ditëve më parë mund të ishte kthyer në një fatkeqësi.

“I keni parë sondazhet, i keni parë bllokimet te Astiri, e keni parë pallatin nr.4, e keni parë “5 Majin”?! Ata janë si ca nga fqinjët tanë, që shkojnë nga humbja në humbje dhe festojnë sikur është fitore. Jam i sigurt se edhe pas zgjedhjeve do të festojnë me të njëjtën mënyrë. Përtej shakasë: e vetmja ftesë që kam, jo vetëm për kandidatët që kanë dalë, por për të gjithë kandidatët, hajde të bëjmë debat, të diskutojmë temat dhe çështjet që i shohim ndryshe, por kjo kultura e sharjes, e vulgaritetit nuk shkon. Kjo kultura për përdorimin e njerëzve nuk shkon.

Imagjno të kishte kandidat në një vend tjetër të botës dhe t’u thoshte njerëzve mos dilni nga pallati që është caktuar nga Instituti i Ndërtimit për t’u prishur. Nuk shkon, se tërmeti ndodhi përpara tre ditësh dhe po t’i kishte zënë brenda, po këta do të suleshin dhe do të thoshin i vrau Lali Eri me Edi Ramën. Në këtë sens, unë e mirëkuptoj fushatën, e mirëkuptoj si shkojnë nga humbja në humbje, humbasin tek “5 maji”, humbasin tek pallati nr. 4, humbasin tek Astiri, humbasin tek këndi i lodrave, humbasin tek sheshi, humbasin dhe flenë gjumë te teatri, humbasin tek të gjitha këto projekte, ajo është puna e tyre.

Ka dhe fqinj këtu në rajon që festojnë vetëm humbjen. Ajo është një tipologji dhe mentalitet që s’e ndryshoj dot sepse është e tyre, por ajo që unë them është: mos u tallni me njerëzit, i merrni në qafë në kënde lodrash, në Astir, në bulevard, te “5 maji”, në pallate që janë për t’u prishur dhe pastaj i braktisni, dhe është detyra e Bashkisë së Tiranës për t’u kujdesur për ta. Politika si çdo gjë tjetër është me masë”, tha Veliaj në Report tv.

SHKARKO APP