Zgjedhjet vendore, Rama e Topi nisin negociatat: Rast specifik, por jo koalicion i pamundur
“Rast specifik por jo i pamundur” ky është konkluzioni që dy drejtuesit e lartë të PS-së, Edi Rama dhe dhe i FRD-së, Bamir Topi dhanë në përfundim të takimit që zhvilluan në kuadër të fillimit të negociatave për të dalë në koalicion për zgjedhjet vendore të 2015.
Kryeministri, njëkohësisht kryetari i PS-së Edi Rama dhe kryetari i FRD-së, ish presidenti Bamir Topi nisën takimin në orën 09:00 në hotel “Sheraton” i cili zgjati për mbi 1 orë më pas të dy liderët dolën me nga një deklaratë për shtyp.
Nga sa u la të kuptohet gjatë takimit ka pasur dhe kundërshti por lanë të hapur mundësitë e takimeve të tjera. Nga ana e tij kreu i FRD-së deklaroi se nuk është folur për kandidatë apo zona konkrete për 21 qershorin
Edi Rama: “Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ky është një rast specifik pasi bëhet fjalë për një parti të pozicionuar qartazi në aspektin e djathtë. Besojmë se ka hapësirë pasi bëhet fjalë për zgjedhje vendore dhe eksperienca e vendeve të tjera flasin qartë se edhe mes partive në pozicione të kundërta në rrafshin kombëtar funksionojnë në atë vendor.
Ishte një bisedë e hapur e drejtëpërdrejtë. Nuk mundëm të shmangemi nga kundërvendosja që kemi në rrafshin e politikës së ditës, por kemi mundur të identifikojmë pika e shqetësime të përbashkëta që kanë të bëjën me domosdoshmërinë për të ndërtuar një politikë konstruktive.
Gjithçka mbetet për tu parë në ditët në vijim por sidoqoftë të përfundojë mendoj se mbetet shembull pozitiv për politikën shqiptare që nga aktorët politikë pret më shumë arsye e më pak zhurmë”
Bamir Topi: “Kemi të bëjmë me një rast specifik. Në politikën shqiptare FRD mbetet e djathtë. Ne shohim me keqardhje që administrimi i pushtetit vendor, më shumë, në qendra të mëdha ka qenë problematik. E shikojmë politikën në dinamikë, jemi për komunikim dhe për pushtet vendore nuk ka pse të mos ketë koalicone. Jemi për të ndërtuar koalicionet e gjera mbi bazën e parimeve. Ishte një takim i parë ku shtruam çështjet kryesore që kanë të bëjnë me parimet. Gjejmë pika të përbashkëta që mund të bashkëpunojmë. Natyrisht që po do të ketë takime të tjera. Ka një predispozicion për të dikutuar për çështje të karakterit parimor. Nuk jemi parti e intersave të ngushta”
Pyetjes për Bashkinë Kamëz, Topi iu përgjigj: Nuk folëm për raste specifike.
Topi në këto negociata ishte i shoqëruar nga Sali Shehu.