“Zgjedhorja”, Kaso: S’ka propozim të ri nga opozita, ndërkombëtarët e dinë kush po e bllokon procesin
Sekretari i Partisë Demokratike për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se nuk ka asnjë kusht apo kërkesë të re nga opozita për Reformën Zgjedhore.
Sipas Kasos, opozita i ka bërë të qarta propozimet dhe qëndrimet e saj që në fillim të procesit dhe tani është mazhoranca që po tërhiqet.
Sa i takon propozimit të Rudina Hajdarit për ndryshimin e sistemit zgjedhor, Kaso u shpreh se për opozitën nuk ka rëndësi sistemi, por garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Intervista:
Çfarë ndodh tani?
Reforma Zgjedhore është pika kyçe në kushtet e BE për integrimin, që kërkonte dhe dakordësinë e opozitës. Nuk kemi asnjë dyshim, që edhe kur të dakordësohet reforma, mazhoranca me në krye Edi Rama do tentojë të shtyjë në dorë zgjedhjet. Ne jemi ulur që të bëjmë një reformë të përbashkët dhe ta bëjmë shpejt.
Çfarë tregoi që nuk u arrit konsensusi?
Predispozita jonë ka qenë, të gjitha parakushtet nga ana jonë kanë qenë. Gjithçka ishte e konkluduar, në tryezë prje muajsh janë të gjitha paketat e zgjidhjeve. Kemi shkuar me zgjidhje maksimaliste dhe zgjidhje të tjera kompromisi. Ajo që ka qenë është fakti që ata që janë kapur me zë e figurë duke vjedhur votat janë tërhequr në momentet e fundit nga konsensusi. Janë tërhequr, pasi e kanë provokuar disa herë tryezën e dialogut. Ishte një consensus që një ditë jepej nga mazhoranca dhe ditën tjetër tërhiqej.
Mazhoranca shprehet se opozita nxori propozime të reja në fund….
I sfidoj publikisht të vijnë këtu e të na sqarojnë çfarë kuptojnë me propozime të reja. Sqaroj se ka zero kushtet të reja nga opozita në tryezë. Problematikat që ka ngritur opozita kanë qenë aty që në fillim. Për sa i përket parimeve, kërkesave, opozita s’ka çeduar asnjëherë dhe ka bërë zero kërkesa të reja në treyzën e dialogut. Për të hir të konsensusit kemi dhënë dakordësi për një sërë paketash të lidhura me njëra-tjetrën. Për identifikimin biometrik mazhoranca dha dakorëdësi dhe u tërhoq në fund. Opozita nuk kërkon garanci të tjera, gjëra për veten e vet, por gjërat që Kodi Zgjedhor i ofron, të mos çedojnë.
Çfarë kërkoni ju për realizimin e reformës, po mazhoranca?
Mazhoranca kërkon të shtyrë në dorë çdo aspekt të procesit zgjedhor. Ndërsa ne kërkojmë që partitë të heqin dorë nga disa privilegje dhe të shkohet drejt depolitizimit të zgjedhjeve. Mazhoranca kërkon që administrata e Edi Ramës të organizojë dhe zgjedhjet dhe rezultatin ta nxjerrë siç i vjen me mesëazh nga Surreli. Opozita nuk ka për të çeduar në qëndrimet e saj, kjo është e qartë.
Takimet e ndërkombëtarëve, sa ndikim kanë ata në realizimin e kësaj reforme?
Ka një interes të vazhdueshëm të faktorit ndërkombëtar, që në momentin që Reforma Zgjedhore ka qenë kryefjalë e dialogut politik, që palët duhet ta bëjnë. Interesi i tyre ka qenë i lartë për dialogun dhe gjetjen e konsensusit. Për këtë, ndërkombëtarët meritojnë një falënderim të madh, pasi janë garant që tryeza të mund të prodhojë konsensus. Nga ana tjetër, ata kanë ndjekur hap pas hapi gjithë procesin e deritanishëm të tryezës. Ne e kemi vlerësuar gjithmonë qëndrimin e tyre konsultiv, pasi kanë vullnetin t’i shtyjnë palët drejt konsensusit. E shohin edhe ata vetë në tryezë, që kemi të bëjmë me mungesë konsensusi nga pala tjetër. Tërheqja e konsensusit në një moment të rëndësishëm minon dhe bllokon procesin.
Ndryshimi i sistemit zgjedhor, propozuar nga Rudina Hajdari, si i përgjigjeni?
Nuk ka qenë asnjëherë sekret që prioritet i opozitës ka qenë dhe mbetet garantimi i procesit zgjedhor. Me një process zgjedhor kaq të rrënuar e të shtënë në dorë nga mazhoranca, çfarëdo lloj sistemi të kemi nuk do të jetë përkthim i vullnetit të shqiptarëve ditën e zgjedhjeve. Në realitet nuk kemi arritur asgjë dhe vullneti i shqiptarëve do vazhdojë të dhunohet. Ka probleme kardinale që lidhen me zgjedhjet dhe procesin, ndaj dhe nuk mund të zgjedhim systemin dhe të lëmë pa zgjidhur çështje të tjera.
Çfarë parashikimi keni për reformën?
Ramës i leverdis të heshtë, do bëjë mirë të heshtë, se shqiptarët e dinë kush është në konflikt të hapur me procesin zgjedhor. Rama duhet të reflektojë për pikat në të cilat duhet të japë konsensus. Përveç kësaj ka dhe 14 detyra të tjera, që nuk i ka të lehta. Nuk e ka të lehtë të dorëzojë bashkëpunëtorët e tij te drejtësia, por ato janë halli tij, jo i shqiptarëve.