Zgjerimi me 12 milje, Çollaku: Edi Rama duke heshtur, po fsheh diçka lidhur me marrëveshjen që flet vetëm Greqia

Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku reagon ashpër lidhur me lajmet që vijnë nga Athina, ku kryeministri grek Kyriakos Micotaqis pohoi se ka një marrëveshje me Qeverinë “Rama” për zgjerimin e kufirit detar të Greqisë me 12 milje.

Përmes rrjeteve sociale, Çollaku thekson se se kemi të bëjmë me lajm të ri që ka marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke, por thotë ai, dallimi është se kjo pohohet në Athinë, por mbahet sekret në Tiranë.

“Për kontestin detar me Greqinë sërish lajme vetëm nga Athina.

Në Greqi kjo çështje nuk mbahet sekret. Në Greqi flasin në media, flasin në parlament.

Në Shqipëri jemi të dënuar që lajmet t’i marrim vetëm nga Athina, pasi Tirana Zyrtare hesht.

Tashmë ka një deklarim publik të kryeministrit grek se Greqia nuk heq dorë nga zgjerimi me 12 milje dhe për këtë ka marrëveshje me Shqipërinë (qeverinë shqiptare).

Në fakt është lajm i ri që ka marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe greke, dallimi është se kjo pohohet në Athinë, por mbahet sekret në Tiranë.

Fakt është se pretendimi grek për zgjerim 12 milje nga pala shqiptare (kryeministri Rama) jo vetëm nuk është kundërshtuar, por është pranuar si një e drejtë e vendit fqinj.

Shqetësimi është se Tirana duke heshtur, fsheh diçka.

Sa më shumë të heshtet, aq më i madh do të bëhet ky shqetësim në Tiranë.

Kontesti detar me Greqinë sot i ngjan një loje të komplikuar shahu, ku interesat shqiptare kanë një problem të madh. Lojtari shqiptar ulur në tavolinë, ose nuk ia ka haberin nga loja, ose e ka shitur lojën.

Qeveria “Rama” ka një precedent të rëndë se për interesa pushteti nuk i dhimbset jo vetëm dinjiteti e sovraniteti i vendit, por është e gatshme të falë territore kombëtare lehtësisht (rasti i Veriut të Kosovës).

Në këto kushte, me këtë precedent të thellë paaftësie në mbrojtje të interesave kombëtare, në këtë nivel të lartë pabesueshmërie, për shkak të heshtjes konspirative që e shoqëron në këto raste, si një qeveri që edhe më pak se 6 muaj ka të drejtë të qëndrojë në zyra.., lipset që kontesti detar me vendin fqinje të ballafaqohet zyrtarisht pas 25 prillit kur një qeveri e re, duke mbledhur ekspertizën më të mirë, duke ndjekur me transparencë çdo hallkë të këtij procesi e duke siguruar unitet të brendshëm, të mbrojë në mënyrën më të mirë interesin kombëtar dhe territorin e shqiptarëve”, shprehet ish-zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku.

SHKARKO APP