Zgjerohet debati brenda PD për statutin dhe kongresin

Nga: Zëri i Amerikës

Në Shqipëri, Partia Demokratike e opozitës është përfshirë në një debat të brendshëm lidhur me autoritetin drejtues të partisë më të madhe opozitare. Partia Demokratike sapo është kthyer brenda institucioneve pas 2 vjet braktisje të parlamentit dhe pushtetit vendor.

6 muaj më parë opozita humbi zgjedhjet e përgjishthshme të 25 prillit, ndërsa sekretari amerikan Anthony Blinken shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përjashtoi nga grupi parlamentar deputetin Berisha, pasi u shpall non grata nga SHBA.

Por ky i fundit tha se “vendimi personal i kryetarit Basha shkelte rregullat e parties” dhe nisi një tur takimesh në qytete të ndryshme, duke kërkuar “një kongres të jashtëzakonshëm partiak, data e të cilit do të shpallet javën e ardhshme pas mbledhjes së firmave të mjaftueshme” – si u shpreh ai.

Por kryetari Basha deklaroi edhe sot, si shpesh herë së fundi, se ai kongres nuk do të mbahet dhe se Sali Berisha nuk ka nga statuti i partisë ndonjë mbifuqi që të thërrasë forumet e partisë.

“Neni 3 i Statutit të Partisë Demokratike është i qartë sa i takon orientimit euro-atlanetik të Partisë. E përsëris që Kuvend Kombëtar që të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur sa kohë të jem unë kryetar i partisë. Për këtë mandat kam marrë shumicën dërrmuese të votave të anëtarëve të PD-së, dhe objektivi është rrëzimi i regjimit të Edi Ramës dhe ardhja e PD-së në pushtet” – tha zoti Basha.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha e përjashtoi deputetin Berisha nga grupi parlamentar i partisë pasi ky i fundit, i shpallur non grata nga SHBA-të, deklaroi se do të vetëmbrohej pa e përfshirë partinë në këtë çështje.

Por ai nisi një seri takimesh në qytete të ndryshme, ku po mbledh firma për t’i kërkuar partisë “të mbledhë Kuvendin e vet për të diskutuar vendimin personal të kryetarit Basha ndaj tij si” shkelje e statutit të partisë”.

Zoti Basha tha se zoti Berisha mund të thërrasë institucione paralele në përpjekjet e tij për ta kthyer partinë në një bunker për hallet e tij personale, por PD, anëtarët e saj dhe qytetarët shqiptarë kanë halle dhe përparësi të tjera.

“Kryetari i partisë, – theksoi ai, – nuk do të thërrasë kongres për të ngritur bunker në shërbim të askujt”.

Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, përcaktoi në maj zotin Berisha, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion domethënës.

Sekretari Blinken theksoi se zoti Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Partinë Demokratike dhe drejtuesin e saj Basha se, “duke kërkuar vettingun e politikanëve përmes SPAK-ut, ka dëshmuar se ai është skllav i kryeministrit Rama”.

Por zoti Basha theksoi se nisma e opozitës për ndryshime kushtetuese mbi vetingun e pastërtisë së figurës dhe pasurisë së politikanëve u shpall qysh në vitin 2018, kur kërkesën e firmosi edhe zoti Berisha, dhe tani ajo po e kërkon përsëri vetingun, pasi reflektoi në të komentet e Komisionit të Venecias.

“Unë i qëndroj firmës time të vjeshtës 2018. Nëse dikush tjetër i qëndron apo ka ndryshuar mendim, kjo është çështje e çdokujt tjetër” – tha zoti Basha.

Ai theksoi se është i gatshëm që vetingu i politikanëve të nisë prej tij, por nuk mund të kuptonte përfaqësuesit socialistë, që kanë frikë të zbatojnë mbi politikanët atë që e kërkuan dhe po e zbatojnë mbi gjyqtarët.

Krahas vetingut të politikanëve, opozita kërkoi në parlament 3 komisione hetimore për zgjedhjet e përgjithshme, për incenseratorët dhe çështjen Beketi.

Socialistët në shumicë, në mandatin e tretë qeverisës, rrëzuan këtë të fundit dhe u larguan nga komisioni për hetimin e zgjedhjeve, ndërsa kërkesa për hetimin e inceneratorëve pritet të shqyrtohet javën e ardhshme.

SHKARKO APP