Zhvillimi i Forcave të Armatosura, Edi Rama: Brenda 2030 të kemi eksporte ushtarake të markës “Made in Albania”
Gjatë fjalës së tij në inagurimin e qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama foli për planin e qeverisë mbi zhvillimin afatgjatë të Forcave të Armatosura. Kreu i qeverisë zbuloi se po përgatitet një platformë të re për zhvillimin e industrisë ushtarake që pritet të kalojë për miratim në Kuvend.
Sa i takon industrisë ushtarake, kryeministri shtoi se synimi i qeverisë është që brenda vitit 2030, Shqipëria të ketë edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania”. Rama shtoi se ka shtete shumë të përparuara në industrinë e mbrojtjes që kanë interest ë bashkëpunojnë me shtetin shqiptar sa i takon fushës së mbrojtjes.
”Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania’’. Për këtë jemi me fat për hir të së vërtetës sepse jemi një vend i vogël, po kemi aleatë të mëdhenj.
Vendet më të përparuara në industrinë e mbrojtjes sot në botën demokratike janë, jo vetëm të gatshme, por dhe të interesuara t’i shikojnë sipërmarrjet e tyre të zhvillojnë bashkëpunime me shtetin shqiptar dhe nga ana tjetër.
E gjithë qasja jonë e re në aspektin e këtyre bashkëpunimeve, jo vetëm në fushën e mbrojtjes, është që shteti duhet të jetë partner, shteti duhet të jetë ortak, shteti duhet të jetë aksioner dhe nga gjithë këto procese zhvillimesh ekonomike, shteti duhet të marrë pjesën e tij. Kjo është qasja jonë të cilën na e mundëson kjo kohë që kemi sjellë për hir të së vërtetës”,-tha Rama.