Zjarret në Shëngjin, Agron Gjekmarkaj: Situata është dramatike, Rama të kërkojë ndihmë tek vendet fqinje
Deputeti i PD-së për qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka bërë një apel për situatën e zjarreve në Shëngjin dhe zonat përreth. Ai është shprehur se situata është shumë e rëndë, pasi rrezikohen seriozisht jeta e banorëve, pronat dhe investimet e bëra.
Po ashtu Gjekmarkaj u shpreh se duke përfituar nga rasti i kësaj deklarate bëri një thirrje për kryeministrin Edi Rama dhe pushtetin vendor që të apelojnë vendet fqinje për të siguruar mjete ajrore që do të ndihmojnë në fikjen e vatrave të zjarrit. Ai nuk përjashtoi as faktin se këto zjarre mund të jenë vënë qëllimisht nga “një dorë”, që sipas tij ka synime të tjera në të ardhmen.
“Kam një gjë shumë të rëndësishme të ndaj me ju. Unë jam deputet i Lezhës, i zonës së Shëngjinit, kam qenë sot në Shëngjin, atje situata është dramatike dhe druaj e kam shumë frikë, por nuk uroj kurrë që të bëhet tragjike sepse është në rrezik jeta e njerëzve, prona e miliona investime në zonën e Ranës së Hedhun, por mbi të gjitha gjendja shpirtërore dhe emocionale nga rreziku i madh.
Kam tre ditë që përpiqem me modesti të sensibilizoj qeverinë, pushtetin lokal për të ndërhyrë, por nuk është marrë seriozisht. Qeveria ka qenë mjaft e zënë për të ndezur zjarrin e propagandës kudo në Shqipëri, por është e paaftë për të fikur zjarrin real që po rrezikon realisht zonën e Shëngjinit dhe të Pllanës ku ka shpërthyer nju zjarr tjetër, apo një tjetër pak më larg në Torovicë”,-tha Agron Gjekmarkaj.