Zjarret në Shëngjin, Gjekmarkaj shkon në terren dhe akuzon qeverinë: Ishin të zënë me Kongresin e propagandës

Zjarret në Shëngjin lanë shumë pasoja në zonën pyjore, por edhe në disa banesa e ndërtesa të cilat u përfshinë disi nga flakët. Nënkryetari i Kuvendit dhe i PD-së, Agron Gjekmarkaj shkoi në terren dhe akuzoi qeverinë se nëse reagimi do të vinte më përpara, atëherë nuk do të kishte një situatë të tillë.

”Unë vetë personalisht përpara tre ditësh jam përpjekur me modesti të reagoj, të sensibilizoj, nxitur dhe nga banorët që kërkonin ndihmë që të ndërhynte qeveria, sepse nëse do të kishte ndërhyrë përpara tre ditësh, ne nuk do të kishim këtë situatë. Nuk do të kishim hotele të djegura, nuk do të kishim shtëpi të djegura, nuk do të kishim bare të djegura, nuk do të kishim plazhe bosh, që nuk kanë këmbë turisti që ikën dje të traumatizuar.

Do të kishim një situatë krejt tjetër, por ata ishin të zënë me festivalin e tyre, me kongresin e propagandës, me luftën e brendshme, me skandalet për t’i menaxhuar, me hajdutëritë që kanë shpërthyer kudo dhe sigurisht nuk patën as sy, as vesh për banorët e Shëngjinit dhe zjarrin që po i kërcënonte.

Unë nuk dua të abuzoj, nuk dua të flas sot për informacion, po për indiciet nga shumë qytetarë të Shëngjinit, që i janë adresuar Partisë Demokratike dhe kolegëve të mi të pranishëm, por koha do tregojë shumë shpejt nëse do të fillojë ndërtimi në zonat e djegura”, u shpreh Gjekmarkaj.

SHKARKO APP