Zjarret, Prençi: Duhet rritje e shërbimit inteligjent dhe e ndëshkueshmërisë. Ushtria në nivelin më të ulët historik

Ish-kreu i emergjencave civile Shemsi Prençi, thotë se duhet rritje e shërbimit inteligjent dhe e ndëshkueshmërisë në lidhje me situatën e zjarreve që tashmë janë kthyer në kërcënim serioz në disa zona të vendit. Për të këto janë dy hapat që duhet të ndërmarrë qeveria për fatkeqësitë natyrore dhe krizat.

“Kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që për fatkeqësitë e natyrës duhet strategji kombëtare me plan masash. Duhet të rritet së tepërmi shërbimi i inteligjencës se ka tendenca që zjarri mund të jetë i qëllimshëm, nga grupe interesi e grupe kriminale, nga të huaj, nga turistë, nga barinj, por edhe pa dashje nga fermerët që djegin mbetje e shkurre dhe u del nga kontrolli. Problemi qëndron te vlerësimi i situatës”.

Po ashtu Prençi thekson se duhen ndryshime edhe në Kodin Penal sa i takon ndëshkueshmërisë së zjarrvënënies, pasi sipas tij prej vitesh Shqipëria renditet në vendet e rrezikuara nga zjarret për shkak të pozicionit gjeografik.

“Kërkohet rritje e intensitetit të shërbimeve sekrete nga policia dhe prokuroria dhe ndryshim në Kodin Penal të Republikës për ndëshkueshmërinë e zjarrvënies. Duhet se alarmin e kemi prej 10 vitesh që Shqipëria rrezikohet nga zjarret për shkak të pozicionit gjeografik. Ka pasur prova për zjarrvënie të qëllimshme. Ndëshkueshmëria është fakultative, kërkohet ndryshim në Kodin Penal për ndëshkimin”,-thotë në ”A2cnn”.

Ai bën përgjegjëse qeverinë për mosreagimin në kohë të situatës nga zjarret, Prençi thekson se ekzekutivi duhet të nxjerrë mësime duke investuar në infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore. Sipas tij e vetmja mënyrë për të shuar zjarret është nga ajri, pasi rrjeti rrugor është skandaloz. Kurse ushtria shqiptare për të është në nivelin më të ulët historik të shtetit shqiptar.

SHKARKO APP