Zjarri që shkaktoi shpërthime në Dropull, Ministria: Vihet nën kontroll
Disa vatra zjarri janë riaktivizuar në vend, paçka se mbrëmë reshjet e shiut nuk munguan. Lajmi i mirë që jep Ministria e Mbrojtjes është se është vënë nën kontroll zjarri në fshatin Radat të Dropullit, si pasojë e të cilit ndodhën edhe disa shpërthime.
Ministria e Mbrojtjes njofton se nuk dihet ende nëse shpërthimet kanë qenë granata të Luftës së Dytë Botërore apo bombola gazi në një grumbull mbeturinash.
”Përsa i përket shpërthimeve ende nuk janë konfirmuar nëse mund të kenë qenë granata të Luftës së Dytë Botërore apo bombola gazi në një grumbull mbeturinash. Nuk ka rrezik për banesa. Ka një vatër zjarri në mes të shpatit të malit, ku po ndërhyjnë forcat e ushtrisë dhe zjarrfikëset”.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes për zjarret
Zjarri në afërsi të fshatit Shemri në vendin Kodrat e Lakut të Mollës, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës po mbahet nën kontroll nga forcat, në mënyrë që të mos përhapet afër banesave. Po punohet edhe nga ajri me helikopter. Është normalizuar zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, pas ndërhyrjes së helikopterit.
Zjarri në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë. Po punojnë zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe forca të tjera. Flakët kanë rënë në sipërfaqen pyjore, rrezikohet edhe përhapja në kurorë. Po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter. Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre, pisha e dushqe në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë. Nuk ka rrezik për zonën e banuar.
Është nën kontroll zjarri në fshatin Radat. Sipas informacioneve nga emergjencat civile të bashkisë Dropull i Poshtëm në vendngjarje ka mbërritur zjarrfikësja e Bashkisë Gjirokastër dhe strukturat e ushtrisë. Përsa i përket shpërthimeve ende nuk janë konfirmuar nëse mund të kenë qenë granata të Luftës së Dytë Botërore apo bombola gazi në një grumbull mbeturinash. Nuk ka rrezik për banesa. Ka një vatër zjarri në mes të shpatit të malit, ku po ndërhyjnë forcat e ushtrisë dhe zjarrfikëset.
Një zjarr në sipërfaqe me shkurre është njoftuar në fshatin Qinam në Tiranë, pa rrezik për banesa. Është riaktivizuar një vatër zjarri në fshatin Thirrë në bashkinë Mirditë. Zjarri po shkon drejt fshatit Gështenjas dhe mund të rrezikoje banesat. Forcat zjarrfikëse, banorët po punojnë për ta vënë nën kontroll. Janë nisur dhe forca nga DMR Kukës.
Në fshatin Sinametaj, Nj.A Karinë, në bashkinë Peqin ka një vatër zjarri në shkurre e bimësi të ulët. Në zonë po shkojnë zjarrfikësit e zonës, por terreni është mjaft i vështirë dhe mjetet nuk mund të mbërrijnë deri aty. Në fshatin Pashalli, në Poshnje të Beratti është raportuar një zjarr në shkurre, në afërsi të pyllit me pisha. Situata po ndiqet nga zjarrfikësit dhe pushteti vendor.