Zv/kryeministri ka kritika për qeverinë, Abazoviç: Çfarë i sugjeroj Ramës në mandatin e tretë
Zv/kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka një kritikë për qeverinë shqiptare. ”Duhet të jetë më e pranishme dhe të interesohet më shumë për çështjet e shqiptarëve në Mal të Zi”. Në një intervistë të dhënë për analistin Mentor Nazarko, Abazoviç tregon vizionin që ai ka për të ardhmen e rajonit, por edhe për marrëdhëniet që ka me liderët shqiptarë Edi Rama dhe Albin Kurti.
Për kryeministrin Rama, ai thotë se nuk e shqetëson fakti që ai përkrahu kolegun e tij, Milo Gjukanoviç, në zgjedhje. Ai beson që kreu i qeverisë në Shqipëri do të bëjë zgjedhjet e duhura në zgjedhjen e ministrave këtë mandat të tretë.
Kurse për dialogun Kosovë-Serbi, Abazoviç e përkrah maksimalisht. Për të pa njohje mes dy shteteve, nuk mund të ketë një zgjidhje të ngërçit. I pyetur për të përbashkëtat dhe ndryshimet që politikat e tij kanë me ato të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ai tregoi se diferencat lindin kryesisht nga rrethanat e ndryshme të dy shteteve.
Por cilin nga modelet e sugjeruara për mini-shengenin ballkanik mbështet Dritan Abazoviç?
Unë jam për çdo model që tregon se bashkëpunimi mund të jetë më aktiv se ç’është tani. Të gjitha modalitetet e kanë një gjë të përbashkët, që si shtetet ballkanike të funksionojnë më mirë.
A do t’i ndihmoni ata qoftë edhe më parimin e reciprocitetit me Shqipërinë?
Dakord jam dhe, duhet me e aktivizu më shumë si çështje. Problemi qëndron te sistemi gjyqësor në Mal të Zi që është shumë jo produktiv, por pas zgjedhjeve të Valdanosit, absolutisht do të merremi edhe më këtë. Unë jam për eliminimin e çdo padrejtësie. Besoj se me disa rifreskime që do të vinë në gjyqin e Malit të Zi, këto çështje që u takojnë shkodranëve do të fitojnë një epilog pozitiv.
A ka ardhur koha që në Ulqin të ketë një monument të Skënderbeut?
Ka shumë kohë që ne jemi në vonesë me vendimin për të bërë një bust për Skënderbeun. Por me qeverinë e re ajo gjë ka për tu përfunduar dhe busti do të vendoset në hyrje të Ulqinit. Që të gjithë ata që vijnë të jenë të qartë që lidhja jonë me Skënderbeu dhe me historinë kombëtare është e rëndësishme. Në fund të vitit jam i sigurt që projekti do përfundojë. Kërkoj falje për vonesën por ka qenë zvarritje. Kërkoj falje që nuk ka ndodhur me herët.
Çfarë ju lidh me Krujën?
Me Krujën kemi lidhje se aty gjendet fshati Abazaj. Kur kemi pasur një gëzim familjar, vetë na kanë kontaktuar kushërinj nga ai fshat dhe kanë marrë pjesë dhe ne jemi prej andej. Kemi mbet me kontakte dhe vizitohemi shpesh.