Zv/kryeministrja Balluku në aeroportin e Vlorës: Janë realizuar më shumë se 40% e punimeve fizike

Zv/kryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj ishin në kantierin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, ku ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në këtë projekt. Deri më tani janë realizuar më shumë se 40% e punimeve fizike. Drejtori Et’hemaj bëri të ditur se projekti, ashtu sikundër ishte parashikuar, po zhvillohet me disa faza.

Punimet fizike parashikohet që të përfundojnë në fund të këtij viti për ti lënë më pas kohë proceseve të certifikimit dhe kolaudimit të këtij aeroporti, i konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë e rajonit.

“Fazat janë të definuara, se çfarë do të ndodhë në secilën fazë, pasi një njësi kaq e madhe e aviacionit civil, ku ka disa komponentë brenda, nuk ndërtohet e gjitha që në fazën e parë. Ashtu siç është edhe e planizuar në studimin e fizibilitetit ka disa faza për të avancuar me të gjithë procesin e ndërtimit të aeroportit deri në realizimin final të të gjithë volumeve të punës që ky aeroport do të ketë. Për këtë arsye edhe ne jemi të përgatitur sipas një kalendari dhe fazave që do të hedhim një nga një, por për fazën e parë, e cila do të jetë faza e hapjes të operimeve dhe e nisjes së disa nga sektorëve, ne jemi plotësisht gati”, u shpreh Balluku.

Aeroporti do të zhvillohet në tre sektorë, aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve, një kargo e mirëfilltë, e cila deri më tani i mungon Shqipërisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e vendosi theksin tek respektimi i afateve duke sjellë në vëmendje edhe faktin se tashmë vendi ynë ka eksperiencën e duhur për finalizimin e të gjithë procesit.

Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të jetë i kategorisë 4E, me një pistë me gjatësi prej 3.2 kilometrash duke mundësuar edhe fluturimet transoqeanike.

SHKARKO APP