Zv/kryeministrja Balluku në Pogradec: Plan investimesh në të gjitha qytetet turistike

Në qytetin e Pogradecit ka nisur puna për rehabilitimin e plotë të nënstacionit elektrik. Nënstacioni aktual është ndërtuar në vitin 1968, ndërsa i gjithë rrjeti elektrik ka një moshë mesatare 40-vjeçare. Me ndërhyrjen që tashmë ka nisur synohet modernizmi i këtij nënstacioni, duke rritur gjithashtu kapacitetin dhe fuqinë e tij për t’iu përgjigjur edhe zhvillimit të zonës.

Zv/kryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me administratorin e OSSH, Blendian Dalipi, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve. Investimet e nisura, bëri të ditur ministrja Balluku, kanë në fokus fillimisht zonat urbane dhe veçanërisht ato turistike, për t’u shtrirë më tej edhe në zonat rurale të vendit.

“Ky është viti i parë që ne pas të gjitha krizave që filluan me tërmetin e 2019 dhe pasuan me pandeminë dhe krizën energjetike, kemi një plan të mirë investimesh. Duke pasur një prioritet për zonat urbane, siç janë qytetet, sigurisht prioritet kryesor mbajnë ato qytete të cilat kanë dhe kapacitete turistike, duke qenë se turizmi ka qenë në vitin 2023 një nga sektorët më të suksesshëm, me 10 milionë vizitorë gjatë vitit dhe presim në 2024 mbi 13 milionë dhe sigurisht këto zona janë në fokusin tonë, siç është Pogradeci, Durrësi, Vlora apo dhe Ksamili. Por, nga ana tjetër, sipas një liste prioritare dalëngadalë ne do të futemi edhe në zonat rurale”, tha Balluku.

SHKARKO APP