Zv/kryeministrja Balluku pret kreun e kompanisë hidrokarbure ENI: Mundësi të reja bashkëpunimi
Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku priti sot në një takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë hidrokarbure ENI, Claudio Descalzi, me të cilin diskutuam mbi ecurinë e operacioneve hidrokarbure në Shqipëri, si dhe bashkëpunimin e mundshëm në të ardhmen.
Ajo informoi se kreu i kompanisë ENI u prit edhe nga kryeministri Edi Rama, të cilin e informuan mbi aktivitetet e kërkimit të ENI në bllokun Dumrea.
“Diskutuam për mundësi të reja bashkëpunimi në fusha që lidhen me tranzicionin energjetik, siç është dhe prodhimi i lëndëve bujqësore për rafinim biologjik, në tokat e pashfrytëzueshme. Përherë të hapur për të bashkëpunuar me kompani ekselence të rangut botëror sikurse ENI”, u shpreh Balluku në një postim në rrjetet sociale.
Qeveria shqiptare ka nënshkruar me kompaninë italiane ENI në 2019-ën një marrëveshje për shpimin e puseve kërkimore për naftë në një sipërfaqe prej 587 km2 në rajonin e Dumresë, afërsisht 40 km në jug të kryeqytetit Tiranë.