Zv/kryeministrja Balluku: Skema e re e subvencionimit të ujit, mbështetje për çdo kategori në nevojë
Kur projektohen mirë subvencionet, kthehen në mjete të fuqishme për të ndihmuar ata që kanë nevojë, por edhe siguron që shoqëritë të mund të vijojnë të ofrojnë shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimet.
Zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, informon se me mbështetjen e Bankës Botërore dhe SECO, qeveria shqiptare po modernizon sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, nëpërmjet aplikimit të skemës së re të subvencionit të furnizimit me ujë. Me këtë skeme do të jetë qeveria ajo që do të paguajë për këto shërbime për njerëzit që kanë vërtet nevojë, duke mbuluar deri në 5 m3 ujë në muaj.
“Individët e kualifikuar përfshijnë prindërit në nevojë me më shumë se dy fëmijë të lindur në të njëjtën kohë, jetimët, familjet me të ardhura të pamjaftueshme dhe viktimat e trafikimit apo dhunës në familje. Kjo skemë do të bëjë shërbimet e ujit të përballueshme për të gjithë, ndërsa do të stimulojë shoqëritë për të përmirësuar performancën e tyre. Qeveria jep shembullin e potencialit transformues të një skeme të subvencionit të mirëkonceptuar”, deklaroi ajo.