Zv/presidentja e PL reagon sërish për arrestimin e Metës: Dhuna e ushtruar nuk do të amnistohet

Zv. Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar sërish ditën e sotme në lidhje me mënyrën e arrestimit të Ilir Metës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhixho shkruan se e dënon dhunën e përdorur sipas saj ndaj Metës, duke insistuar se ata që ishin të përfshirë do të përballen me drejtësinë për veprimet e tyre.

Sipas Xhixhos, reagimi i ministrit të Brendshëm për këtë arrestim është i turpshëm dhe kjo ngjarje e rëndë turpëron Shqipërinë.

Reagimi i plotë:

Terroristët e Edi Ramës, që rrëmbyen dje ish-presidentin e republikës në mes të ditës, njësoj si bandat kriminale me të cilat bashkëpunon ngushtë qeveria, kanë të gjithë emër dhe fytyrë.

Dhuna e ushtruar dje, të cilën e panë të gjithë shqiptarët, nuk do të amnistohet.

Anëtarëve të kësaj skuadre terroriste, që të fshehur pas maskave ekzekutuan urdhrat e kryeministrit dhe pseudodrejtësisë së vënë në shërbim të tij, do t’u jepet ndëshkimi i duhur!

Ky akt terrorist ndaj një individi që ka ushtruar funksionet më të larta publike në Shqipëri prej 30 vitesh, duke mos iu shmangur në asnjë moment përgjegjësive dhe drejtësisë, tregoi edhe njëherë se kemi shtet policor dhe jo ligjor.

Reagimi i ministrit të Brendshëm, i cili mbron këta banditë me uniformë e maska në fytyrë që guxojnë të godasin Presidentin e Partisë së Lirisë, është i turpshëm dhe kjo ngjarje e rëndë turpëron Shqipërinë.

SHKARKO APP