Zvarritet vendimi për arrestimin, Arben Ahmetaj nuk është në Shqipëri. Bardhi: PS i dha kohë që të fshihej

Arben Ahmetaj nuk është në Shqipëri, por sot u mbajt mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku SPAK kërkon arrestimin e ish-zv/kryeministrit që tashmë është vetëm deputet i PS-së.

Një mbledhje që zgjati 4 orë dhe kishte shumë pyetje pa përgjigje. Pasi kanë deklaruar se Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, avokatët e tij kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit, për të marrë kohë më tepër për mbrojtjen.

Ndërkohë nga ana tjetër opozita kërkoi që diskutimi të vijojnë sot. Përfaqësuesit e organit të akuzës janë pyetur nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi nëse Ahmetaj është larguar për në Kanada, pasi Prokuroria e Posaçme paraqiti në Kuvend kërkesën për arrestimin e tij. Pas daljes nga mbledhja, kreu i grupit parlamentar i PD-së Gazment Bardhi tha se mazhoranca po i jep kohë Arben Ahmetajt që të fshihet nga drejtësia.

”Mazhoranca vendosi që ti japë kohë dhe u vendos që të shtyjë seanca për ditën e nesërme. Duke i dhënë kohë në këtë mënyrë që autorizimi të jepet për javën që vjen. Kjo është një ndihmë që mazhoranca po i jep Ahmetajt për tu fshehur nga drejtësia. Duhet të kishte lejuar prokurorinë ti jepte autorizimin gjykatës më pas është gjykata nëse duhet arrestuar apo jo. Kam pyetur SPAK se ku ndodhet në Shqipëri apo Kanada nuk ka marrë përgjigje. E rëndësishme është që informacioni u konfirmua nga avokatët e tij. Nesër do të dëgjojmë pretendimet e avokatëve të Ahmetajt”,-tha Bardhi.

SHKARKO APP