Zvicra njeh pensionet e shqiptarëve, pritet miratimi edhe nga Italia. Rama: Ma premtoi Meloni
Kryeministri Edi Rama, ka bërë me dije se Parlamenti zviceran ka votuar me 129 vota pro marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Shqipërinë, thënë ndryshe pensionet. Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 3 mijë shqiptarë që jetojnë në Zvicër.
Po ashtu Rama zbulon edhe se kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i premtoi se shumë shpejt do votohet në parlamentin italian marrëveshja e shumëpritur.
Në kuadër të marrëveshjeve për Sigurimet Shoqërore, Shqipëria ka përfunduar në gusht negocimin teknik të marrëveshjeve me pensionet me Italinë. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali.
Postimi i plotë nga Rama
Parlamenti zviceran miratoi me 129 vota pro marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore me Shqipërinë, e cila u firmos në Tiranë më 18 shkurt të këtij viti.
Faleminderit Qeverisë Zvicerane, parlamentarëve zviceranë dhe padiskutim ekipeve teknike të përbashkëta, të cilat punuan pa u lodhur për këtë marrëveshje të shumëpritur për shqiptarët që punojnë e kontribuojnë në Zvicrën mike.
***Kryeministrja Giorgia Meloni më premtoi pardje në Tiranë, se shumë shpejt do të votohet në parlamentin italian edhe marrëveshja e shumëpritur me Italinë.